
NATO dhe Gjermania nuk kanë marrë akoma një vendim për dërgimin e tankeve “Leopard 2” në Ukrainë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka mbajtur një konferencë për shtyp pas përfundimit të takimit për Ukrainën në Ramstein në Gjermani.
Në përgjigje të pyetjes së tij të parë, Lloyd Austin tha se nuk ka vendim sa i takon tankeve.
Aktualisht licenca e eksportit për to është në pronësi të Gjermanisë, që do të thotë se edhe vendet e tjera kanë nevojë për autorizim për të dërguar stoqet e tyre jashtë vendit.
Por ka dhe nga ato vende që mund të vendosin të dërgojnë tanket e tyre Leopard 2 në Ukrainë, pavarësisht nëse marrin apo jo leje nga Berlini. Një ndër këto vende është Polonia.
Lidhur me këtë situatë, Austin u pyetet nëse Gjermania po bën mjaftueshëm për të mbështetur Ukrainën.
“Po, por të gjithë mund të bëjmë më shumë”, ishte përgjigja e tij.
Ukraina ka kohë që i bën thirrje Perëndimit që të dërgojë tanke për të ndihmuar forcat e saj të luftojnë Rusinë, dhe në krye të listës ka qenë tanku Leopard 2.
I konsideruar si një tank kryesor beteje në të njëjtën mënyrë si Challenger 2 dhe i prezantuar për herë të parë në vitin 1979, tanku ofron mbrojtje të mirë kundër raundeve të blinduara dhe armëve të drejtuara kundër tankeve. Siç është raportuar, Leopard 2 vlerësohet se është në gjendje të depërtojë në armaturën e përparme të tankut T-72 të prodhimit sovjetik nga 2,000 metra larg dhe atë të T-62 nga më shumë se 4,000 metra – të dyja janë në përdorim nga ushtria ruse në Ukrainë.