
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar ditën e sotme në Samitin e Madridit se NATO-ja po përballet me sfidat më të mëdha prej Luftës së Dytë Botërore, pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.
Në nisje të ditës së dytë të samitit të NATO-s në Madrid, në të cilin pritet të miratohet strategjia e re për të ardhmen e aleancës, Stoltenberg kë thënë se aleatët do të takohen në “kohën e krizës më serioze”, duke shtuar se “samiti do të jetë historik dhe transformues”.
“Ne do të deklarojmë qartë se Rusia përbën kërcënim për sigurinë tonë”, ka thënë Stoltenberg.
Stoltenberg ka thënë se pret ratifikim të shpejtë të marrëveshjes për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në aleancën ushtarake, pas heqjes së vetos nga ana e Turqisë.
“Ne do të marrim vendim për të ftuar Suedinë dhe Finlandën që të bëhen anëtare, kjo bëhet me shpejtësi të pashembullt”, u ka thënë ai gazetarëve nga Madridi.
Turqia është pajtuar të martën që të heqë veton për anëtarësimin e të dyja këtyre shteteve në NATO, pas nënshkrimit të zotimeve nga Suedia dhe Finlanda për luftim të terrorizmit. Ankaraja ka kundërshtuar anëtarësimin e këtyre dy shteteve për disa javë, duke i akuzuar për mbështetje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe YPG-së, një milici kurde me bazë në Siri. Ankaraja i konsideron të dyja këto organizata si terroriste.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të mbajë një fjalim, përmes video-lidhjes, në këtë samit, më vonë gjatë ditës.
Lufta në Ukrainë ka krijuar një atmosferë të re brenda aleancës perëndimore, pas disa viteve të mospajtimeve të brendshme dhe rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, në kohën sa Donald Trump ka qenë president i SHBA-së.
Presidenti francez Emmanuel Macron e ka përmendur më 2019 se NATO-ja po përballej me “vdekje të trurit”, teksa rriteshin dilemat për rrugën që po merrte aleanca.
Pushtimi rus në Ukrainë “e ka bërë edhe më të qartë” sa e rëndësishme është NATO-ja për të ardhmen, ka thënë kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në nisje të takimit.
Të mërkurën, aleanca trans-atlantike pritet të arrijë marrëveshje për të pozicionuar më shumë pajisje afër Rusisë, përfshirë armët e rënda, të rrisë numrin e trupave të NATO-s në Evropën Lindore dhe të rrisë numrin e forcave në gatishmëri të lartë nga 40,000 në 300,000.
Aleatët e NATO-s janë ende duke finalizuar përbërjen e trupave që do të angazhohen në Evropën Lindore, pasi disa vende anëtare dëshirojnë të shmangin bazat e përhershme për shkak të kostove të mëdha. Baltiku, sidomos Estonia, kanë shtyrë NATO-n që të ndryshojë taktikat pas pushtimit rus në Ukrainë dhe që të sigurojë mbrojtje të plotë të territorit në Evropën Lindore.
Vendet partnere të NATO-s në rajonin e Indo-Paqësorit – Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja Jugore – janë duke marrë pjesë në samit, një shenjë se lufta në Ukrainë ka marrë gjithë vëmendjen e aleancës.
Vendet anëtare të NATO-s po planifikojnë që të tregojnë përkushtim se do t’i ndihmojnë Ukrainës në periudhë afatgjatë me pajisje, trajnim dhe modernizim të pajisjeve ushtarake të periudhës sovjetike.
/REL