Aktualitet 1 Tetor 2022, 19:03

Seksionet e Berishës janë kopja më e mirë e Berishës

Shkruar nga Pamfleti
Seksionet e Berishës janë kopja më e mirë e Berishës

Berisha i akuzon seksionet e partisë se nuk kanë debat dhe dialog mes anëtarëve. Po pse ta bëjnë këtë? Që t’i përjashtojë kryetari i seksionit nga partia? Ja ata shikojnë Sali Berishën që dialog quan atë që bën me njerëz me devijime mendore, që i mblidhen në takime në qytete, kurse në Kryesinë që ka zgjedhur për të qeverisur, as duartrokitje nuk mund të ketë pa leje.

Shkruan Mero Baze

Sali Berisha sot ka kuptuar se Partia e tij nuk funksionon. Ka kuptuar se seksionet dhe grupseksionet nuk nxjerrin dot as komisonerë për zgjedhje, se nuk kanë oratorë dhe mbi të gjitha nuk janë aktivë. Në atë që ai e quan mbledhje të Këshillit Kombëtar, ai e gjeti këtë si një arsye të fortë dhe për shtyrjen e protestave, të cilat do të përgatiten në të ardhme. Nuk dihet nëse protestat do forcojnë partinë, apo forcimi i partisë do sjellë protestat, por kjo do shikohet në ditët në vijim.

Por ajo që u duk sot qartë, pavarësisht kritikave të Berishës, është se partia në bazë është në harmoni të plotë me partinë në qendër. Do të isha shumë i çuditur sikur seksionet të funksionin, grupseksionet të bënin zgjedhje, dhe pretendim ekstrem që ata të mendojnë dhe për komsionerë apo fitore në zgjedhje.

Nëse i hedh një sy asaj se si Berisha ka ndërtuar lidershipin e ri të “Foltores”, e kupton shumë mirë se ka vepruar si këto seksionet që akuzon vet.

Fjala vjen, ai i akuzon ata pse nuk përfshijnë mjekët, inxhinierët apo shoqërinë civile, që është aktive dhe artikulon probleme.

Po pse ta bëjnë atë? T’u zënë vendet në seksion? Derisa Sali Berisha mjek quan Flamur Nokën dhe inxhinier Edi Palokën, pse të mos bëjnë kështu dhe seksionet.

Berisha i akuzon seksionet e partisë se nuk kanë debat dhe dialog mes anëtarëve. Po pse ta bëjnë këtë? Që t’i përjashtojë kryetari i seksionit nga partia? Ja ata shikojnë Sali Berishën që dialog quan atë që bën me njerëz me devijime mendore, që i mblidhen në takime në qytete, kurse në Kryesinë që ka zgjedhur për të qeverisur, as duartrokitje nuk mund të ketë pa leje.

Berisha i akuzon seksionet e partisë se mund të dëmtojnë imazhin, duke mos u ripërtërirë dhe duke mos pasur reputacion në bllok, në lagje apo në fshat. Po çfarë të bëjnë seksionet, kur shikojnë Berishën që ka mbledhur rrotull tij në krye të “Foltores”, njerëz që as Berisha vet nuk ua di emrin?

Seksionet dhe partia e Berishës në bazë janë në harmoni të plotë me Berishën në qendër. Ata e imitojnë Berishën në çdo detaj, në çdo sjellje dhe në çdo akt të tij si uzurpator pushteti. Nuk mund të kesh asnjë vërejtje për sjelljen e tyre në raport me Berishën.

Premtimet e Berishës për zgjedhje, për votë të lire, për rotacion, u zëvendësuan me tezat për votë simpatizantësh, pra votime jolegjitime që të ilustrojnë skemat e pushtetit të tij. Kjo nuk është e keqe për të mbajtur përjetësisht PD peng. Mirë e ka menduar. Edhe seksionet janë dakord.

Ai është “babai” i partisë dhe babai udhëheq me shembuj, nuk udhëheq me fjalë. Fëmijët shikojnë çfarë bën babai, dhe jo çfarë thotë ai.

Ai e di që nuk fiton dot dhe thjesht përgatit alibinë e humbjes, t’ua lërë anëtarëve në bazë. Nuk e ka menduar keq. As ata nuk mërziten, se s’ka kush t’i heqë nga ajo detyrë që nuk ua ka dhënë askush. Ata janë aty vetëm për të justifikuar një tufë të njerëzve që të rrethojnë Berishën si badigardë, meqë e kanë zënë hallet në pleqëri. Të tjerat janë justifikime.

Forum Berisha lokale Zgjedhjet