Senati amerikan konfirmoi diplomatin Jeffrey Hovenier në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Hovenier, një diplomat karriere, u emërua në për këtë post në muajin korrik nga presidenti Joe Biden, ndërkohë që ai ka shërbyer së fundmi si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë.
Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin.
Jeffrey Hovenier ka shërbyer gjithashtu në misionet amerikane në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Hovenier e njeh mjedisin kosovar, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari. Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e nderoi zotin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”. Gjatë ceremonisë për dhënien e medaljes, Presidenti Thaçi e falënderoi diplomatin amerikan “për kontributin në Konferencën e Rambujesë, në procesin e Vjenës dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës”.
“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur diplomati Hovenier në atë kohë.
Jeffrey Hovenier do të zëvendësojë ambasadorin Philip S. Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018, u konfirmua nga Senati në shtator dhe filloi detyrën si ambasadori i pestë amerikan në Republikën e Kosovës në dhjetor të atij viti./VOA