
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ja kanë bërë të qartë Serbisë se tani duhet të zgjedhë nëse do të jetë me Perëndimin apo me Rusinë.
Senatorët amerikanë Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Tom Tillis, kana vizituar sot Beogradin dhe janë shprehur qartë se qëndrimet e Serbisë duhet të jenë në unison me ato të BE.
Gjatë një konference për media në Beograd më 19 prill, ata theksuan se në këtë moment historik është e rëndësishme që të gjitha vendet demokratike në Evropë t’i dërgojnë një mesazh të qartë Rusisë dhe t’i kërkojnë llogari për veprimet e saj në Ukrainë.
Senatorja Jeanne Shaheen tha se në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç kanë biseduar edhe për vendosjen e sanksioneve nga Serbia ndaj Rusisë. “Ne folëm për këtë dhe jam i sigurt se do të vazhdojmë të flasim, mendoj se e kemi paraqitur qëndrimet tona”, tha senatorja.
Senatori Chris Murphy tha se ata ja bënë të qartë presidenti se duhet të dënojë agresionin rus në Ukrainë. “Ne i kuptojmë lidhjet historike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Ne vazhdojmë ta mbështesim Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe qëndrojmë pranë popullit të Serbisë në këtë proces. Ne erdhëm në Serbi për të forcuar marrëdhëniet e mira që vendi ka me Shtetet e Bashkuara”, tha Murphy.
Duke folur për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili ka ngecur, pasi që nga korriku i vitit 2021 nuk ka takime në nivel të lartë, senatori Murphy tha se ishte thellësisht i zhgënjyer që nuk kishte përparim në atë proces.
Ndërkaq, në takimin me senatorët amerikanë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se përmirësimi i bashkëpunimit me SHBA-n është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë. Presidenti nuk dha një qëndrim mbi kërkesat e tyre, por duket qartë se tashmë Serbia duhet të zgjedhë, pasi nuk mund të luajë me dy porta.