Kosova 8 Shkurt 2023, 21:25

Serbët dhe shqiptarët në Kosovë, të ndarë për çështjen e Asociacionit

Shkruar nga Pamfleti
Serbët dhe shqiptarët në Kosovë, të ndarë për

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha të mërkurën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë do të duhej të themelohej deri në verën e këtij viti.

Në një intervistë me televizionin K1 në Beograd, ambasadori Hill tha se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, mund të zbatohet deri në fund të këtij viti.

Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e të dyja vendeve për t’i bindur që të nënshkruajnë një marrëveshje mbi atë propozim, që parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Krahas përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve për propozimin, diplomatët perëndimorë kanë shtuar trysninë mbi Prishtinën që të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Qytetarët shqiptarë dhe serbë, të ndarë në veri dhe në jug të qytetit të Mitrovicës, duken të ndarë edhe në mendimet e tyre mbi Asociacionin.

Disa qytetarë serbë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thanë se ai paraqet mundësi për mbijetesë dhe përparim të të drejtave të tyre, ndërkaq qytetarët shqiptarë këmbëngulin në përputhshmërinë e këtij mekanizmi me Kushtetutën e Kosovës.

“Rreth Asociacionit presim që të drejtat e serbëve lokalë të shtohen dhe që ata të kenë qasje në integrim”, tha Miroslav Lakediç, banor i veriut të Mitrovicës.

“Ai do të mund të ishte një hap drejt ndonjë zgjidhje për mbijetesën e popullit serb në Kosovë. Kjo do të mund të ishte zgjidhje ose parakusht ndoshta për bisedime të mëtejshme dhe marrëveshje. Shumë thjeshtë ne duhet patjetër të kemi marrëveshje me shqiptarët në Kosovë dhe bashkëjetesë sepse ne këtu jetojmë bashkë, ky është realiteti”, thotë Stevica Joviç, banor i veriut të Mitrovicës.

“Asociacioni duhet patjetër të themelohet, Evropa ka marrë një vendim të tillë dhe mendoj që duhet të bëhet, do të jetë mirë edhe për ju edhe për ne”, tha një tjetër qytetar i cili nuk pranoi të identifikohet.

“Duhet të bëhet një kompromis që t’i kenë edhe ata të drejtat si qytetarë të Kosovës që janë, as më tepër as më pak. Ose të bëhet një krahasim me banorët shqiptarë që jetojnë në Serbi, sa kanë të drejta ata”, tha për Zërin e Amerikës Maliq Sylejmani, banor i pjesës jugore të Mitrovicës.

“Asociacioni është si t’ua japësh autonominë serbëve andej urës. Për pesë apo gjashtë vjet këtu ndahet dhe mbetet si Republikë brenda Republikës”, thotë një tjetër qytetar shqiptar që jeton në pjesën jugore të Mitrovicës.

“Duhet të formohet vetëm Kushtetuta si e thotë, në bazë të Kushtetutës së Kosovës mund të pranohet, por jo si thonë ata”, thotë Bedri Haxhimehmeti, një tjetër banor i jugut të Mitrovicës.

Qytetarët në të dyja anët e qytetit shprehen të rezervuar për procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

“E shoh pozitivisht, është duke shkuar në drejtimin e duhur si proces dhe përfundimisht duhet që të bëhet marrëveshje me serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës. Fqinjët tanë shqiptarë duhet që të kuptojnë përfundimisht se serbët janë pjesë kushtetuese e Kosovës, kanë pasur shtet dhe do të kenë nëse ka bashkëpunim, që do të thotë se asnjë vendim nuk mund të merret pa pajtueshmëri. Është më mirë njëqind vjet bisedime sesa një ditë luftë, paqja është e domosdoshme. Po shkojmë drejt pëparimit, e kemi një rini dhe duhet të mendojmë në atë drejtim”, tha Miroslav Lakediç.

“Bisedimet janë më të mira se lufta. Duhet patjetër të bisedojmë, nuk duhet të ketë shantazhe dhe nuk duhet të ketë kushtëzime, është punë që dihet. Për serbët këtu është Serbi dhe për shqiptarët është shteti i tyre i pavarur, kjo është e tëra. Por mbi të gjitha bisedime, dialog, marrëveshje, jo luftë, nga lufta askush nuk do të dalë i lumtur”, tha Stevica Joviç.

“Procesin e shoh ashtu që bazohem shumë te miqtë tanë amerikanë, përndryshe evropianët kanë ditur shumë herë të na zhgënjejnë. E aty kam shpresa shumë të mëdha se do të bëhet mirë”, thotë Maliq Sylejmani.

“Serbia kurrë nuk është e gatshme ta përfundojë dialogun, vetëm për sy e faqe. Ne jemi të sinqertë në dialog por Serbisë vetëm i konvenon ta shtyjë e zvarris më tutje. Angazhimi ndërkombëtar kohën e fundit po duket i mirëfilltë, është i mirëseardhur”, thotë Skender Peci, një tjetër banor i pjesës jugore.

Kosova dhe Serbia thanë se e pranojnë propozimin evropian i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjkeje për të gjetur një zgjidhje të mospajtimeve ndërmjet të dyja palëve që mbesin një burim paqëndrueshmërie në Ballkan duke rritur shqetësimet për sigurinë në rajon, në një periudhë kur kontinenti po përballet me pasojat e agresionit rus në Ukrainë. /VOA

Prishtine Asociacioni Mitrovica Serbi