Tridhjetenjë burra në Kosovë kanë marrë statusin e viktimave të dhunës seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës 1998-’99. Shumë të tjerë hezitojnë të flasin. Kur lufta në Kosovë kishte arritur kulmin, në maj të vitit 1999 një i ri nga një fshat i Kosovës, së bashku me burra dhe gra të tjerë u morën dhunshëm nga policia dhe paramilitarët serbë dhe u vendosën në një motel. Shumë prej tyre, të rinj dhe të reja, u dhunuan seksualisht. Disa prej tyre edhe u vranë.
Radio Evropa e Lirë ka intervistuar një të mbijetuar të dhunës seksuale. Ai ka qëndruar pa ushqim në podrumin e ndërtesës. Uji i vetëm që pinte, ishte uji i tualetit që vinte nga katet e mësipërme të ndërtesës. “Kam pirë me dhjetëra herë në ditë nga uji i pisët dhe pas luftës jam operuar në pjesën e lukthit. Kjo erdhi për shkak të mikrobeve të ujit. Një pjesë të lukthit dhe një pjesë të zorrës së trashë ma kanë hequr”, rrëfen dëshmitari i masakrave serbe.
Përveç dhunimeve, në vendin e ngjarjes kanë ndodhur edhe vrasje. “Kam dëgjuar keqtrajtimet që i janë bërë femrave. Nuk i kam parë se nuk ishim në të njëjtin ambient. Nuk e di ditën e saktë, por kam parë me sytë e mi momentin kur dy persona i kanë mbytur në prezencën time. Atë ditë, njërin e kanë goditur në pjesën e zemrës ose të lukthit kurse tjetrin e kanë goditur pas qafe” thotë i mbijetuari.