
Serbia do i japë Kosovës Luginën e Preshevës?! Eksperti i çështjeve të rajonit, Shaban Murati: Një marrëzi
“Eshtë naivitetet të mendosh se Serbia mund t’i japë Kosovës Luginën e Preshevës”. Kështu deklaron diplomati dhe eksperti i çështjeve të rajonit, Shaban Murati duke folur për emisionin “Diplomaticus”.
Teksa prezanton librin e tij më të ri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” Murati shprehet: “Çdo diplomat do të bëjë pyetjen e thjeshtë se përse kjo çështje nuk u diskutua shtatë vjet në bisedimet për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve kur kemi edhe krijimin e komunave serbe në veri të Kosovës. Pse nuk kërkoi Prishtina krijimin e komunave Shqiptare në jug të Serbisë? Janë Presheva, Medvegja dhe Bujanovci. Ka një farë naivititeti për të menduar se Serbia do ta japë Luginën e Preshevës. Jo vetëm një herë, por dhjetëra herë udhëheqësit e Serbisë, duke përfshirë edhe kryeministren e përkufizuan këtë tezë si një marrëzi.
As nuk mund të mendohet se Serbia t’i japë Kosovës Luginën e Preshevës”.
Sipas studiuesit të njohur, ajo që tërheq vëmendjen në çështjen e Luginës së Preshevës është neglizhenca që është treguar ndaj saj edhe nga Shqipëria edhe nga Kosova.
Në një situatë të tillë kur Kosovën nuk e njeh Serbia, sipas tij detyra kryesore i takon Shqipërisë që të merret me çështjen e Luginës së Preshevës dhe të mbrojë të drejtat e Shqiptarëve.