Rikthehen tensionet sërish në veri të Kosovës. Pak momente më parë është shënuar një incident në liqenin e Ujmanit, pasi është hapur zjarr ndaj policisë kosovare. Mediat shkruajnë se policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit, është sulmuar me armë zjarri, teksa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në liqenin e Ujmanit.
Sipas policisë, kanë qenë afërsisht 10 të shtëna të njëpasnjëshme nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së Policisë. Sipas Policisë, s’ka ndonjë të lënduar.
“Sot, më 06.08.2022 rreth orës 11:25, njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit është sulmuar me armë zjarri.
Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar.
Në asistencë të njësisë policore ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare. Policia po vazhdon të vëzhgojë terrenin dhe ta trajtojë rastin.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe luftimin e kriminalitetit e me theks të veçantë të kontrabandës në atë zonë’, thuhet në njoftim.
Nuk dihet sekush janë autorët e kësaj ngjarje, por kjo vjen vetëm pak ditë pas ngjarjes në Mitrovicë, ku serbët vendosën barrikada dhe sulmuan forcat e rendit. Ndërkohë po dje Serbia njoftoi se ka vënë në gatishmëri ushtrinë pranë kufirit me Kosovën.