Shaip Kamberi, përfaqësues politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, është zgjedhur deputet i Kuvendit të Serbisë, pas zgjedhjeve që u përsëritën të enjten në fshatin Tërnovc.
Kamberi ka thënë se nga 705 votues sa kanë dalë në zgjedhjet e sotme, lista që udhëhiqet nga ai kanë votuar 698 persona.
Kamberit iu nevojitën vetëm 610 vota për ta marrë edhe një mandat të deputetit.
Nga sonte po vazhdon afati për kundërshtime dhe ankesa në procedurën e votimit në vendvotimin numër 6, për shkak të së cilës po vonohet edhe konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit të Serbisë.
Kamberi ishte edhe në dy mandate të tjera deputet në Kuvendin e Serbisë.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi janë mbajtur më 3 prill, por rezultatet nuk janë certifikuar ende.
Kjo, për arsye të përsëritjes së votimeve në fshatin Tërnovc, si pasojë e disa parregullsive.
Votimet e së enjtes kanë qenë përpjekja e pestë.
Votat e Tërnovcit kanë qenë përcaktuese për përfaqësimin e pakicës shqiptare – me një deputet – në Kuvendin e Serbisë.
Në zgjedhjet e 3 prillit, shqiptarët e Luginës kanë garuar me dy lista – “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, dhe “Alternativa për Ndryshim – Alternativa Demokratike Shqiptare”, e udhëhequr nga Shqiprim Arifi.
Në zgjedhjet e parafundit parlamentare në Serbi, në qershor të vitit 2020, partitë shqiptare kanë qenë në një koalicion dhe kanë fituar tri mandate parlamentare.