“Do të jemi në çdo familje dhe në çdo lagje për fitoren”, kështu është shprehur Xhelal Mziu para gazetarëve, ku tha se do të jetë në krye të listës së PD-së në Qarkun e Dibrës.
Sa i takon pyetjes së gazetarëve, nëse do të dojë të kandidojë sërish për Bashkinë e Kamzës, Mziu la të kuptohet se kjo nuk do të ndodhë.
“E vetmja ambicie e imja është maksimalizimi i votave në qarkun e Dibrës, në mënyrë që të fitojnë qytetarët shqiptarë, nuk kam asnjë peng tjetër”, tha Mziu, i cili pretendon se opozita në Dibër kërkon 4 nga 5 mandatet e mundshme në këtë qark.
“Unë duke qenë dhe vetë me origjinë nga Dibra, e di që është një qark me probleme, jam i gatshëm që të përballem me këtë sfidë duke e mundur të keqen, jam i sigurt që do ta marrë një fitore spektakolare, të njëjtë me atë që kemi marrë në vitin 2009. Ju e keni parë që grupet kriminale kanë nisur që të largohen nga skena, njësoj siç do të iki dhe kjo qeveri. Qarku i Dibrës duhet të kishte më shumë deputetë, por kjo nuk mund të zhbëhet më, tani, ne synojmë që të fitojmë 5 mandate”,tha Mziu.
Kujtojmë se Xhelal Mziu dha dorëheqjen nga detyra në korrik të 2020, kjo sepse me ndryshimet e reja statutore por edhe në bazë të udhëzimeve që janë dhënë nga drejtuesit e PD-së, nuk lejohej që një funksionar të përfshihej në listat e kandidatëve për deputetë pa hequr më parë dorë nga detyra që mbante, kështu, Mziu hoqi dorë nga drejtimi i Degës së Partisë Demokratike ne Kamëz.