Aktualitet 7 Gusht 2018, 10:23

SHBA-BE japin ultimatumin: Të ngrihet SPAK-u, projektohen 11 emra për strukturat antikorrupsion te Krimet e Rënda

Shkruar nga Pamfleti
SHBA-BE japin ultimatumin: Të ngrihet SPAK-u, projektohen 11 emra për

SHBA-BE japin ultimatumin: Të ngrihet SPAK-u, projektohen 11 emra për strukturat antikorrupsion te Krimet e Rënda

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vjeshtë ka vendosur t’u japë fund ngërçeve në sistemin e drejtësisë.  Por KPK do të ndihmojë dhe në ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Edhe pse KLGJ e KLP po hasin vështirësi për përfaqësues nga gjykatat apo prokuroritë e Apeleve, në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, këto organe do ngrihen dhe pas dy muajsh SPAK do të zyrtarizohet.

Por që prokuroria dhe gjykata speciale të jenë funksionale, duhet që të kenë gjyqtarë e prokurorë. Frika e ndërkombëtarëve është se mund të ndodhë që nuk ka aplikime si në KLGJ e KLP dhe kjo do sillte shumë vonesa. Për këtë arsye po merren që tani masa për të projektuar disa emra që të bëhen pjesë e organeve antikorrupsion. Pak ditë më parë ”SOT” u shpreh se Kushtetua e ligji e kanë të përcaktuar se të parët që bëhen pjesë e SPAK janë gjyqtarët dhe prokurorët e Krimeve të Rënda.

Momentalisht 4 emra e kanë kaluar vetingun dhe automatikisht bëhen kandidatë për SPAK, vetëm nëse ata tërhiqen individualisht. Por në listën me 36 emra të KPK që do kalojnë në skaner në vjeshtë janë dhe 11 të tjerë, pjesë e Krimeve të Rënda. Krerët e gjykatës dhe prokurorisë si dhe anëtarët e Apelit për Krime të Rënda do futen të parët në veting dhe ata që do e kalojnë procesin, automatikisht kalojnë në SPAK.

Që të jesh pjesë e SPAK duhen 3 kushte bazë: Të kalohet vetingu, përvojë nga 7-10 vite në bazë të vendit të punës dhe secili emër bashkë me familjen e tij duhet të heqin dorë nga privatësia. Futja në listën e KPK të anëtarëve të Krimeve të Rënda është një sinjal se ndërkombëtarët duan që SPAK të ngrihet sa më parë. Pra po jepen shenja se pas KLGJ e KLP të mos ketë asnjë vonesë me përzgjedhjen e kandidatëve për organet antikorrupsion.

Hezitimi i emrave

SPAK do të përbëhet nga disa organe. Do jenë Prokuroria e Shkallës së Parë Antikorrupsion dhe ajo e Apelit, ndërsa po ashtu do jenë dhe Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit Antikorrupsion, si dhe Byroja e Hetimit. Që të pesta këto organe duhet të mbushen me staf. BKH do marrë kryesisht emra nga policia, ndërsa SPAK kërkon gjyqtarë e prokurorë me shumë përvojë dhe që të mos kenë lidhje të forta politike. Por që të shmanget kjo, të gjithë do jenë në përgjim telefonik, do monitorohen dhe do u kontrollohen llogaritë bankare.

Secili emër që do të bëhet pjesë e SPAK, përveç kalimit të vetingut dhe përvojës, duhet që të dorëzojë formularin që heq dorë nga privatësia bashkë me familjen e tij. Ky element ka rritur dyshimet se mund të mos ketë kandidatë. Një situatë e ngjashme është krijuar me KLGJ e KLP, pasi anëtarët e saj do jenë të gjithë në përgjim. Kjo ka bërë që të ketë një numër shumë të ulët kandidatësh. Por ndërkombëtarët shpresat i kanë te emrat aktualë që po luftojnë korrupsionin, që janë anëtarët e Krimeve të Rënda.

Të gjithë do jenë prioritet në veting dhe pastaj atyre u lind e drejta të shfaqin kandidaturën pranë KLGJ e KLP dhe këto organe janë të detyruara të përzgjedhin mes tyre edhe nëse ka emra nga gjykata apo prokuroritë e tjera. “Këshilli i Lartë Gjyqësor cakton në mënyrë të përhershme gjyqtarët në detyrë (te Krimet e Rënda) në Gjykatën e Posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me kërkesë të tyre, nëse: gjyqtari kalon me sukses procesin e rivlerësimit, sipas përcaktimeve të ligjit “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”; përmbush kriteret për ngritjen në detyrë, sipas përcaktimeve të nenit 47 të këtij ligji; gjyqtari, si dhe familjarët e afërm të tij japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas ligjit”, thuhet në Kushtetutë.

Aktualitet BE SHBA SPAK