
SHBA-BE ''kumbarët'' e reformës në drejtësi, si e detyruan ambasadorët opozitën të votonte Kushtetutën e re
Roli i ndërkombëtarëve ka qenë deçiziv në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Madje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian mund të quhen me plotë gojë “kumbarët” e reformës në drejtësi. Tre vitet e fundit klasa politike shqiptare hyri në një spirale konflikti duke u ndarë në dy kampe. Nga njëra anë ishte mazhoranca aktuale, ajo e cila kërkonte me ngulm miratimin sa më shpejt të reformës në drejtësi, që do t’i hapte rrugë pastrimit të sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit. Dhe nga ana tjetër opozita, e cila hezitonte dhe refuzonte të jepte dakordësinë për këtë reformë.
Por ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, të cilët u investuan fort, duke u bërë herë pas here thirrje politikanëve shqiptarë që të flakin tej interesat personale dhe të bëhen bashkë si mazhoranca ashtu edhe opozita, me qëllim miratimin e reformës në drejtësi. Dhe kështu ndodhi, teksa në korrik të vitit 2016 dy ambasadorët në fjalë pas shumë përpjekjesh dhe negociatash detyruan opozitën që të bashkojë votat me mazhorancën duke votuar me plotë 140 vota në Kuvend reformën në drejtësi.
”SOT” thekson se ka pasur edhe rastet të tjera kur diplomatët Lu dhe Vlahutin sfiduan politikën, sidomos opozitën edhe pse kjo e fundit dha votën në korrik të 2016, duke ua bërë të qartë se vetingu dhe reforma në drejtësi nuk do të ndalen dhe se do të përmbushin misionin e tyre. Ambasadori Lu u shpreh i bindur pak ditë më parë se reforma në drejtësi dhe vetingu s’kanë dështuar. Madje, pavarësisht akuzave të opozitës në adresë të tij dhe reformës në drejtësi, diplomati e vlerësoi ecurinë e procesit të vetingut në vendin tonë.
Në këtë kontekst, ai vuri në dukje faktin se me zbatimin e deritanishëm të procesit të vetingut, shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar sepse nuk mundeshin të justifikonin pasurinë e tyre të madhe. “Vetingu po funksionon. Shumë gjykatës dhe prokurorë janë shkarkuar sepse nuk mundeshin të justifikonin pasurinë e tyre të madhe apo të tregonin se kishin integritetin e duhur për t’i shërbyer drejtësisë në Shqipëri. Disa njerëz e kanë kritikuar procesin sepse ka penguar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Unë nuk mendoj kështu. Së shpejti Shqipëria do të ketë një sistem me gjykatës dhe prokurorë të pastër, që e kanë kaluar vetingun. Ai sistem është e ardhmja e Shqipërisë”, deklaroi Lu.