
SHBA-BE nisin fushatën për prokurorë e gjyqtarë të SPAK, zbulohet roli i ndërkombëtarëve në luftën antikorrupsion
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë ndezur motorët për të ngritur sa më shpejt Strukturën e Posaçme Antikorrupsion dhe më pas Byronë Kombëtare të Hetimit. KLGJ dhe KLP kanë hapur tashmë garën për prokurorë e gjyqtarë, ndërsa ky proces po ndiqet me shumë vëmendje si nga ONM, ashtu dhe nga përfaqësuesit e ambasadave të SHBA dhe të BE. Por ‘Sot’ ka mësuar se përfaqësues të ambasadave dhe të misioneve ERUALIUS dhe OPDAT janë të shqetësuar se faza e parë për SPAK mund të dështojë.
Bëhet fjalë për 15 vende vakte në Prokurorinë Speciale, ndërsa po aq pritet të jenë dhe për Gjykatën e Posaçme. Shqetësimi i më i madh i ndërkombëtarëve është se mund të kemi një skenar të ngjashëm me atë që ndodhi me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Puna për ngritjen e këtyre dy organeve nisi që në shkurt të vitit 2017 dhe u finalizua në fund të 2018. Kuvendi, Avokati i Popullit, Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë hapën disa herë garën për anëtarë të këtyre organeve sepse nuk kishte interes.
SPAK ka kushte akoma dhe më të forta dhe shqetësimi është nëse ka në vend prokurorë apo gjyqtarë që i plotësojnë të gjitha këto kritere. Problemi më i madh shihet te bindja e familjarëve që të heqin dorë nga privatësia. Ka shumë emra që kanë fëmijë madhorë dhe nuk dihet nëse ata duan që të jenë në përgjime e monitorim. Përveç thirrjeve në rrjetet social, gazeta ka mësuar se ndërkombëtarët po mundohen të piketojnë gjyqtarë e prokurorë, që t’i bindin të bëhen pjesë e SPAK.
Mësohet se përveç emrave brenda vendit, po shihen personalitete që janë arsimuar jashtë vendit ose që punojnë jashtë momentalisht. Gjithë synimi i SHBA-BE është që në institucionin kryesor të luftës ndaj korrupsionit të mos vihen persona që mund të jenë përfshirë në afera korruptive. Edhe pse në vend mund të ketë gjyqtarë dhe prokurorë shumë të aftë dhe të pakorruptuar, shqetësimi i ndërkombëtarëve është se ata mund të kenë lidhje politike apo mund të jenë të ndikuar në vendimmarrje dhe për këtë arsye synohen persona të ardhur nga jashtë që të mos kenë asnjë lidhje në vend dhe mundësisht familjet t’i kenë jashtë vendit që të mos bien pre e shantazheve dhe kërcënimeve.
Roli i SHBA-BE në luftën ndaj korrupsionit
SHBA-BE do kenë rol shumë të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit. Në ligj është e përcaktuar se vetë Byroja e Hetimit do të jetë në dorë të tyre. “Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje.
Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, thuhet aty. Byroja do të jetë në varësi të SPAK dhe pritet që një asistencë të madhe të ketë dhe nga FBI. Pak kohë më parë një prej ekspertëve të USAID Jon Smibert ka dhënë detaje në këtë aspekt, duke thënë se komisioni që do të asistojë dhe monitorojë ngritjen e SPAK do jetë agjent i FBI.
“E di se një prej personave do të jetë nga FBI, atashe ligjor dhe përfaqësues i ICITAP. Kështu që Komisioni i Rishikimit apo Komisioni i Monitorimit, sido që ta quani këtë… Propozimi pra, ka qenë që të japë ndihmën e vet në drejtimin dhe të japë një mbikëqyrje ndërkombëtare mbi BKH”, ka thënë ai.Pra sapo SPAK të ngrihet, ndërkombëtarë do të ngrenë një komision me përfaqësuesit e tyre, i cili do të ndihmojë në ngritjen e BKH.