Rama në frontin anti-Perëndim të udhëhequr nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, SHBA-BE e akuzojnë se po rreshtohet në krah të Rusisë dhe Kinës, paralajmërojnë fundin e shpejtë të tij
Edi Rama i është bashkuar zyrtarisht frontit anti-Perëndim të udhëhequr nga Sali Berisha dhe Ilir Meta në Shqipëri. Pakti me njerëzit korrupsionit dhe krimit, në funksion të riciklimit në pushtet dhe ruajtjes së sundimit, ka përfshirë Edi Ramën në një kurs përplasjesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Nëse Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në konflikt me SHBA-BE për shkak të reformës në drejtësi, tek e cila shohin fundin e tyre politik dhe mundësinë e konfiskimit të pasurive, Edi Rama ka hyrë në konflikt me Perëndimin, në mbrojtje të njerëzve të korrupsionit, bosëve të drogës dhe prostitucionit që e rrethojnë dhe me të cilët synon të marrë një mandat të tretë. Pas disa mesazheve me natyrë ultimative, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, i ka kërkuar edhe një herë sot Edi Ramës të ndahet nga njerëzit e botës së krimit.
Kim i ka kujtuar Edi Ramës se distancimi nga bosët e pastrimit të parave, drogës dhe korrupsionit nuk duhet bërë se kështu kërkojnë ambasadorët, por sepse kështu e kërkon ligji, konkretisht ligji për dekriminalizimin. Yuri Kim tha se “Drejtuesit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thonë kështu ose sepse SHBA e kanë bërë të qartë se lufta ndaj korrupsionit është prioritet. Ata duhet ta bëjnë këtë sepse kërkohet nga ligji shqiptar, është ajo që pritet nga një vend aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së, dhe kjo është një shenjë themelore e respektit për votuesit”.
Në një tjetër reagim, ambasadorja amerikane ka paralajmëruar Edi Ramën se do të mbajë përgjegjësi nëse do të fusë edhe këtë radhë njerëzit e krimit në listat e kandidatëve për deputetë.
Mesazhi i fundit i Kim erdhi një ditë pasi Edi Rama sfidoi ambasadoren amerikane, duke thënë se ajo nuk mund t’i tregonte detyrën e tij. Rama tha se “Unë nuk kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time. Kam shumë respekt, ajo është në të drejtën e vet. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane. Nuk kam nevojë të ma kujtojnë punën time asnjë ambasador. Unë e di shumë mirë detyrën time karshi ligjit dhe popullit shqiptar. Ligji është fare i qartë. Kush ka bërë në të shkuarën vepra penale për të cilat është dënuar duhet të mos kandidojë për një funksion publik. Madje unë e kam nxitur që të shtohet edhe në administratë. Ligji bazohet në deklarimin dhe mbi kontrollin”.
Por, më përvëlues ishte për Edi Ramën një mesazh i Koordinatorit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian Michael Gahler, për të cilin Rama tha se nuk e njihte askush.
Gahler paralajmëroi Edi Ramën se po rreshtohej në krah të Kinës dhe Rusisë. Kjo është akuza më e rëndë që ka bërë një përfaqësues i Brukselit për Kryeministrin. Gahler u shpreh se “Unë mendoj se BE është përgjigja më e mirë për çdo vend. Të rreshtohesh në krah të një vendi autoritar a diktatorial apo të mendosh se njerëzit do të jenë më mirë nëse ti rreshtohesh në krah të Kinës apo Rusisë, kjo mund të vlejë për disa përfitues që janë të dyshuarit e zakonshëm që ndihen mirë, por nuk është e mira për popullsinë”.
Në të njëjtat pozita si Edi Rama sot, ishte edhe Sali Berisha në pranverën e vitit 2013, pak para se të rrëzohej nga pushteti, për t’u mos u ngritur më kurrë./Pamfleti