Partnerët tanë strategjikë heshtën ndaj shantazhit të Metës me video seksuale dhe kërcënim me padi ndërkombëtare, pasi janë të fokusuar në ngritjen e SPAK, BKH dhe Kushtetueses. Presidenti konsiderohet si bllokues të “Drejtësisë” së re dhe s’mund të humbasin kohë me politikanë që do të jenë së shpejti subjekt i SPAK. Ultimatumi i SHBA-BE për Ramën që të shkarkojë urgjent Metën nxjerr para medias Ballën, paralajmërohet mbledhja e Komisionit të Hetimit të premten. Gati dhe votat e opozitës së re
Partnerët tanë strategjikë, pavarësisht “lajthitjes” disa ditore të Presidentit Ilir Meta, i cili i ka shantazhuar me video seksuale dhe kërcënuar se do të ngrejë padi ndërkombëtare për ta, nuk kanë bërë asnjë reagim publik.
Përkundrazi, në mënyrë qartë dhe të prerë, SHBA dhe BE janë fokusuar tek presioni dhe nxitja për organet kushtetuese shqiptare që të ngrenë sa më parë të gjitha institucionet e drejtësisë së re.
Për miqtë tanë të mëdhenj, ngritja e institucioneve të drejtësisë, SPAK, Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë si dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm janë shumë më të rëndësishme se sa debati politik, apo shfazimi i Ilir Metës, që ka dalë nga “binarët”.
SPAK dhe Gjykata Kushtetuese do stabilizojnë situatën në Shqipëri, duke dërguar para drejtësisë “peshqit e mëdhenj” e pastruar hap pas hapi politikën shqiptare nga krimi, trafiku e korrupsioni që i ka zënë frymën për 30 vite me radhë.
Burime diplomatike sqarojnë arsyen se përse është heshtur ndaj akuzave të Ilir Metës, duke nënvizuar faktin se duke qënë të fokusuar tek zbatimi i Reformës në Drejtësi, nuk mund të humbasin kohë me përgjigje ndaj politikanëve që do të jenë së shpejti subjekt i SPAK.
Madje saktësohet se i vetmi “reagim” i partnerëve tanë ndërkombëtarë në lidhje me qëndrimin e Metës ka qënë evidentimi i Presidentit si bllokues i madh i Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Për këtë arsye, aleatët tanë të mëdhenj i kanë kërkuar në mënyrë ultimative Edi Ramës që të mos e zvarrisë më tej hetimin parlamentar të presidentit Ilir Meta, por ta kalojë me urgjencë në Kuvend kërkesën për të votuar shkarkimin e tij, duke vënë si afat të fundëm Krishtlindjet.
Duke qënë se shkarkimin përfundimtar e bën Kushtetuesja, mësohet se partnerët ndërkombëtarë e kanë argumentuar këtë ultimatum ndaj kryeministrit, me faktin se vendimi i Kuvendit ndaj Metës do të tregonte vendosmërinë e goditjes së bllokuesve të Reformës në Drejtësi.
Ultimatumi i SHBA-BE ndaj Ramës ka dhënë efektin e parë ditën e sotme, teksa ka dalë me urgjencë kreu i grupit parlamentar të PS, i cili ka deklaruar akuzat e reja për shkelje Kushtetute të Ilir Metës, ndërkohë që Komisioni i Hetimit do të mblidhet ditën e premte për të vendosur me sa duket për raportin final që do t’i dërgohet Kuvendit për shkarkimin e kreut të shtetit.
Me sa duket mazhoranca ka dhe votat e opozitës së re për të shkarkuar Metën, përderisa po ditën e sotme deputeti i opozitës së re Halit Valteri kërkoi mbledhjen urgjent të Komisionit të Hetimit të shkeljeve të Kushtetutës dhe shkarkimin urgjent të Ilir Metës në Kuvend./Pamfleti