
SHBA fut në skaner pushtetarët, zbardhen kategoritë që rrezikojnë t’u bllokohen vizat, hapen dyert e burgut
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se nuk do të tolerojnë asnjë politikan shqiptar të përfshirë në afera korrupsioni. Shpresat e shumë prej tyre ishin te ambasadori i ri që do të vijë në Tiranë, por ditët e fundit po tregohet se nuk do ketë asnjë ndryshim qëndrimi nga Uashingtoni. Të enjten ishte zv/ambasadori Daniel Koski, ai i cili deklaroi se SHBA do bëjë gjithçka që të goditet korrupsioni, ndërsa paralajmëroi se do të rinisë bllokimi i vizave. Por kush rrezikon të shpallet non grata nga SHBA? ‘Sot’ ka mësuar se do ndiqen dy rrugë për të ndëshkuar pushtetarët e korruptuar. E para është nga vetë DASH, ku Sekretari i Shtetit me urdhër të tij shpall “non grata” individë të caktuar duke u bazuar në ligjin për buxhetin. Në bazë të këtij ligji u morën masat dhe ndaj Adriatik Llallës dhe ndaj Tom Doshit. Nga ana tjetër është ambasada amerikane ajo e cila bllokon vizat për emra që ka dyshime, duke u bazuar në një urdhër Presidencial.
Verifikim pasuror
Burimet i thanë gazetës se muajt e fundit ka shumë politikanë që kanë aplikuar për vizë dhe janë kthyer mbrapsht. Ajo që i ka penalizuar është pasuria. Sipas informacioneve, ambasada amerikane ka filluar të verifikojë pasurinë për të gjithë ata ministra, deputetë, kryetarë baskie, gjyqtarë dhe prokurorë që duan viza. Secili prej tyre skanohet dhe për ata që ka dyshime që është i korruptuar, revokohet viza. Sipas informacioneve, ambasada ka marrë nga ILDKP të dhënat e të gjitha zyrtarëve dhe atje ku ka dyshime për pasuri të pajustifikuar, nuk ka vizë. Më të rrezikuarit janë emrat e akuzuar publikisht.
Ministra, ish-ministra, deputetë, krerë bashkish apo dhe gjyqtarë e prokurorë që janë anatemuar si të korruptuar, nuk ikin dot në SHBA. Një tjetër kategori janë emrat në hetim. Kushdo zyrtar që është në proces gjyqësor, apo po hetohet nga prokuroria, është “non grata” nga SHBA. Po ashtu, nuk ka vizë për emrat që kanë ngelur në veting. Të gjithë gjyqtarët e prokurorët që nuk e kaluan procesin janë non grata nga SHBA. Ngelja në veting do të thotë se ata janë të korruptuar dhe askush nuk përfiton dot vizë. Por në bazë të ligjeve amerikane, të rrezikuar janë dhe ish-ministra dhe ish-deputetë. Kushdo që ka pasuri të pajustifikuar dhe dyshohet se është i korruptuar, pavarësisht se i ka shpëtuar drejtësisë, rrezikon të mos marrë vizë.
Përcaktimet ligjore
Vendimet e amerikanëve për të bllokuar vizat e të korruptuarve bazohen në dy aspekte. Së pari është ligji për buxhetin. Në sesionin 7031/c, përcaktohet qartë se Sekretari Amerikan i Shteti kur ka prova mund të shpallë ngrata një person të përfshirë në afera. “Zyrtarët qeverive të huaja dhe anëtarët e familjes së tyre, për të cilët Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se janë të përfshirë në korrupsion, përfshi dhe për nxjerrjen e burimeve natyrore, apo shkeljen e të drejtave të njeriut, u ndalohet hyrja në SHBA.
Sekretari informon gjithashtu publikisht ose privatisht zyrtarët e qeverive të huaja dhe anëtarët e afërt të familjes, për të cilët ka informacion të besueshëm, nëse kanë aplikuar për vizë”, thuhet në ligj. Elementi tjetër është një vendim presidencial. Bëhet fjalë për vendimin 7750 të firmosur nga Xhorxh Bush, i cili ndalon të gjithë shtetasit e huaj që të futen në SHBA nëse janë të korruptuar. Sipas tij, nuk do lejohen në SHBA nëpunësit publikë ose ish-zyrtarët publikë të cilët kanë kërkuar apo pranuar vlera monetare, ose ndonjë përfitim tjetër, në këmbim të një veprimi apo mosveprimi në kryerjen e funksioneve të tyre publike.
Po ashtu, personat të cilët përfitojnë ose ofrojnë vlera monetare apo përfitim tjetër, për çdo zyrtar publik në këmbim, të një akti apo lëshimi në kryerjen e funksioneve publike. Nëpunësi publik ose ish-zyrtari publik i cili ka shpërdoruar fondet publike apo ka ndërhyrë në proceset gjyqësore, elektorale, apo procese të tjera publike. Gjithashtu u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe e bashkëshortëve, të afërmve, familjarëve apo fëmijëve të personit që dyshohet se është i korruptuar, të cilët mund të kenë përfituar nga paratë e marra në mënyrë jo ligjore.