Aktualitet 6 Gusht 2019, 12:26

SHBA ‘i ve vizën’ prokurorit Beci, DSIK i nxjerr ‘të palarat’ në shesh

Shkruar nga Pamfleti
SHBA ‘i ve vizën’ prokurorit Beci, DSIK i nxjerr ‘të

SHBA ‘i ve vizën’ prokurorit Beci, DSIK i nxjerr ‘të palarat’ në shesh

Problemet me pasurinë dhe një deklarim i mjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës kanë penalizuar prokurorin Eugen Beci me detyrë prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit, organi bazë i Vettingut, në datën 26 qershor 2019 vendosi të shkarkonte nga detyra prokurorin Beci.

Cilat ishin të dhënat që Eugen Beci nuk deklaroi në deklaratën e kontrollit të figurës?

Referuar vendimit të Komisionit të Vettingut, prokurori nuk ka deklaruar faktin se i është refuzuar viza amerikane në datë 26 janar 2019.  Në fakt, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar dy raporte për prokurorin Beci pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në datën 4 prill 2019, DSIK ka depozituar pranë KPK një tjetër raport për Becin, duke korrigjuar kështu raportin e parë. Në raportin e dytë, DSIK thotë se prokurori i Krimeve të Rënda ka bërë deklarim të pasaktë në plotësimin e deklaratës për kontrollin e figurës, pasi nuk ka deklaruar revokimin e vizës amerikane.

“Në vlerësim të të dhënave mbi subjektin e rivlerësimit, z. Eugen Beçi gjykohet se: referuar parashikimeve të bëra në Aneksin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “Rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, në nenin DH “Kontrolli i figurës”, pika 4, subjekti i rivlerësimit, z. Eugen Beci, evidentohet se ka bërë deklarim të pasaktë në plotësimin e Deklaratës për Kontrollin e Figurës, konkretisht në germës “g”, të pjesës nr. 5, “Të dhëna për sigurinë”, pasi nuk ka deklaruar revokimin e vizës amerikane si fakt i ndodhur para ditës së dorëzimit të formularit për kontrollin e figurës.

Për sa më sipër, mosdeklarimi në këtë rast, e ngarkon subjektin, z. Eugen Beci, me përgjegjësinë e fshehjes së faktit dhe me plotësimin jo me vërtetësi të deklaratës për kontrollin e figurës. Grupi i Punës rishikon konstatimin fillestar të figurës së subjektit të rivlerësimit dhe arrin në përfundimin mbi papërshtatshmërinë e vijimit të ushtrimit të detyrës nga subjekti i rivlerësimit, z. Eugen Beçi”, thuhet në raport.

Po cili është qëndrimi i Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit për prokurorin Beci?

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hetuar mbi informacionin dhe konkluzionin e DSIK. Sipas vendimit të KPK, DSIK-ja informoi Komisionin se Eugen Beçi, ka dorëzuar deklaratën për kontrollin e figurës në datën 27.1.2017. Në këtë regjistër është nënshkrimi i tij dhe emri mbiemri dhe nënshkrimi i punonjësit të DSIK-së. DSIK-ja ka informuar gjithashtu Komisionin se Beçit i është revokuar viza amerikane në datën 26.1.2017.

Sipas KPK, ky fakt nuk ishte pasqyruar nga subjekti i rivlerësimit në plotësimin e deklaratës për kontrollin e figurës, (dorëzuar në DSIK në datën 27.1.2017) konkretisht në germën “g”, të pjesës nr. 5, “Të dhëna për sigurinë”, si fakt i ndodhur para ditës së dorëzimit të deklaratës për kontrollin e figurës në DSIK nga subjekti. “Subjekti i rivlerësimit nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për të deklaruar refuzimin e hyrjes në SHBA (vend anëtar i NATO-s), në zbatim të parashikimeve ligjore të germës “g”, të pjesës nr. 5, të “shtojcës 3”, të ligjit nr. 84/2016, duke mos e pasqyruar këtë fakt të ndodhura deri në ditën e deklarimit, në përgjigjen e dhënë pyetjes, nëse gjatë 10 viteve të fundit i është refuzuar hyrja vende të BE-së/NATO-s.

Shpjegimet e subjektit të rivlerësimit nuk arritën të provojnë të kundërtën e barrës së provës, në lidhje me plotësimin në mënyrë të pasaktë të formularit të deklarimit për kontrollin e figurës, si dhe fshehjen e fakteve dhe të rrethanave të ndodhura para dorëzimit të këtij formulari, sipas nenit 39, të ligjit nr. 84/2016. Në përmbledhje të sa më sipër, trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, z. Eugen Beçi, nuk ka plotësuar në mënyrë të saktë dhe me vërtetësi formularin e deklarimit për kontrollin e figurës dhe ka fshehur fakte dhe rrethana të ndodhura para dorëzimit, sipas ligjit të këtij formulari. Subjekti i rivlerësimit, z. Eugen Beçi, nuk ka arritur një nivel të besueshëm në kontrollin e figurës”, thuhet në vendim.

Shpjegimi i vetë prokurorit Beci

Prokurori në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, Eugen Beçi, ka deklaruar se në asnjë rast nuk i është refuzuar hyrja në SHBA. “Siç edhe ligji e kërkonte, në datën 27.1.2017 kam dorëzuar formularin nr. *** prot. të deklaratës për kontrollin e figurës në DSIK. Para datës 27.1.2017, Zyra Konsullore pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë më njoftoi për revokimin e një vize trevjeçare që kisha marrë pranë kësaj ambasade, duke bërë dhe shënimet përkatëse.

Theksoj se mbi bazën e koncepteve juridike, gjuhësore dhe logjike, në asnjë rast nuk më është refuzuar hyrja jo vetëm në SHBA, por në asnjë vend tjetër anëtar apo jo anëtar i Bashkimit Europian. Për këtë mbetem i bindur bazuar në fakte, prova dhe shpjegime të këtyre koncepteve nga vetë ligjzbatuesit e shtetit për të cilin ju bëni fjalë, pra, SHBA-së”, ka sqaruar Beci për KPK.

Kontakti i papërshtatshëm i Becit me persona të denuar

Për Becin, jo vetëm refuzimi i vizës amerikane përbënte pengesë për konfirmimin e tij nga ana e Vettingut, por edhe kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar bënë që Beci të mos kalonte ‘klasën’ në KPK. Vetë Beci e kishte deklaruar se kishte pasur kontakte me një person të përfshirë në krimin e organizuar, duke menduar se KPK mund t’a konsideronte deklarimin e tij si një masë lehtësuese, por ndodhi krejt e kundërta, pasi Komisioni arsyetoi se vetë Beci nuk mund të fshihte një fakt të njohur publikisht, pasi lajmi ishte botuar në gazetat e kohës.

Nga ana tjetër Beci shpjegoi se publikimi i lajmit ka qenë i qëllimshëm dhe se vetë ai kohë më vonë ka mësuar se shtetasi F.S (kontakti i papershtashem) me rekorde kriminale, i cili ka qenë i dënuar në vitin 2008 nga Gjykata e Lartë për posedim të lëndëve narkotike, për një fakt penal të hetuar në Itali, nuk kishte lidhje me të, apo të jetë hetuar nga vetë prokurori, duke arsyetuar se në këtë menyrë nuk është gjendur asnjëherë në konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, – thuhet në vendimin e KPK.

Edhe pse për Becin ekziston edhe një mundësi në Komisionin e Posaçëm të Apelimit, sërish shanset për të kaluar Vettingun mbeten të pakta, duke marrë parasysh se refuzimi i vizës amerikane është një e ‘metë’ e madhe për organet e Vettingut.

Aktualitet DSIK Eugen Beci KPK refuzimi i vizës SHBA