Politike24 Qershor 2022, 18:58

SHBA kërkon më shumë goditje ndaj të korruptuarve, thirrje njerëzve të drejtësisë të mos i druhen politikës

Shkruar nga Pamfleti

Shtetet e Bashkuara kërkojnë më shumë goditje ndaj të korruptuarve. Për ta reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme dhe sot ka ardhur një tjetër mesazh i fortë në drejtim të prokurorive dhe gjykatave.

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë mbajti një konferencë për pavarësinë e drejtësisë dhe i pranishëm ishte zv/ ambasadori i SHBA Demian Smith. Ai u shpreh se shteti i së drejtës është themeli i demokracisë. Sipas tij kjo do të thotë të kesh gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur, të cilët mund të marrin vendime pa ndikime politike dhe ekonomike.

Demokracitë në mbarë botën sot pajtohen se një sistem i pavarur drejtësie është kritik jo vetëm për sundimin e ligjit, por për vetë suksesin e demokracisë. Asnjëherë më parë Shqipëria nuk ka pasur një kuadër kaq gjithëpërfshirës për hetimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ju takon juve që t’i përdorni këto mjete për të vazhduar atë që vetingu ka nisur në sigurimin e një sistemi drejtësie të drejtë dhe të pavarur. Siç e dini të gjithë, shqiptarët kanë filluar të shohin rezultate — nga largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar e deri te arrestimet e politikanëve, policëve dhe kriminelëve të organizuar. Ne po fillojmë të shohim një epokë të re ku sistemi mund t’u shërbejë qytetarëve të tij dhe jo vetëm atyre që kanë lidhje politike, të pasurve dhe kriminelëve”, tha ai.

Por teksa për amerikanët reforma ka dhënë rezultatet e para, ka nevojë për më shumë punë. Sipas Smith, ka ardhur koha që të përdoren të gjitha kapacitetet për të ndëshkuar abuzuesit dhe për të shkëputur drejtësinë nga ndikimi politik.

Ky është një fillim dhe më shumë duhet bërë. Ju keni ndërtuar institucione të reja drejtësie në emër të popullit shqiptar. Është po aq e rëndësishme që t’i përdorni ato në fuqinë e tyre të plotë, në emër të bashkëqytetarëve tuaj. Ju duhet të jeni efikasë, të pavarur dhe të paanshëm për të siguruar një sistem drejtësie të fortë, të drejtë dhe të ndershëm, i cili do ta mbajë demokracinë tuaj të fortë”, tha ai më tej.

Ai u shpreh se SHBA dhe BE do të vijojnë ta mbështesin këtë reformë. Por Smith deklaroi se ju takon institucioneve të reja të kujdesen që sistemi të jetë në rrugën e duhur.

Shtetet e Bashkuara ju nxisin që të vazhdoni punën e mirë dhe punën e madhe, pavarësisht pengesave që hasni. Krahas partnerëve tanë të BE-së – dhe dua t’i bashkohem komenteve të kolegut tim të BE-së për partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për reformën në drejtësi – ne mbështetëm fillimin e Reformës në Drejtësi në 2016-ën dhe kemi qenë aty në çdo hap të rrugës, përmes vetingut dhe krijimit të institucioneve e reja. Kemi nisur të shohim ndikimin e një gjyqësori më të pastër dhe të prokurorëve dhe hetuesve të përkushtuar kundër korrupsionit”, tha ai.

Në të njëjtën linjë me të ishte dhe përfaqësuesi i BE, pasi lufta ndaj korrupsionit shihet si element mjaft i rëndësishëm.

Politike Korrupsion SPAK