Kosova 8 Nëntor 2022, 18:45

SHBA nën vëzhgim veriun e Kosovës, Donfried: Nisni bisedimet për themelimin e Asociacionit, largimi nga institucionet nuk është zgjidhje!

Shkruar nga Pamfleti
SHBA nën vëzhgim veriun e Kosovës, Donfried: Nisni bisedimet

Ndihmëssekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Karen Donfried ka folur rreth situatës në veri të Kosovës. Përmes një konference për media, zyrtarja amerikane thotë se SHBA-të po shpenzojnë kohë dhe vëmendje në Ballkanin Perëndimor dhe se zhvillimet e fundit në Kosovë janë arsyeje për shqetësim.

“Ne po shpenzojmë shumë kohë dhe vëmendje në Ballkanin Perëndimor. SHBA-ja pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit janë arsye për shqetësim. Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për problemin aktual dhe ka potencial për eskalim të mëtejshëm në terren”, tha Donfried.

Ndihmëssekretarja u ka bërë thirrje të gjitha palëve të ndërmarrin hapa të sigurta.

 “Të gjitha palët duhet të marrin hapa për qetësi dhe për siguri”, shprehet Donfried.

Zyrtarja amerikane thekson se duhet të vazhdohet me implementimin e marrëveshjeve mes dy vendeve, që janë nënshkruar në Bruksel, përfshirë edhe fillimin e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kosova dhe Serbia duhet të implementojnë marrëveshjet që tashmë kanë nënshkruar në kuadër të dialogut, përfshirë fillimin e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, u shpreh Donfried.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi vazhdon ta konsiderojë Kosovën si territorin e saj. Prishtina ka nisur vënien në zbatim të planit me 3 pika, i cili filloi me shqiptimin e “masave qortuese” këtë muaj për shoferët serbë që përdorin targa të vjetra të para-pavarësisë, do të fus në fuqi gjobat deri më 150 euro pas 21 nëntorit, si dhe do të konfiskojë automjetet me numra të vjetëruar të regjistrimit pas 21 prillit 2023.

Në këtë fushatë tensionesh, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje qeverive Kurti e Vuçiç, të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm. Ndërsa u bëri thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre për dialog dhe të rikthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën lokale. Po ashtu, Borrell kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të zgjasin procesin e ri-regjistrimit të automjeteve dhe të pezullojnë çdo veprim ndëshkues ndaj mbajtësve të vjetër të targave.

Prishtine #Karen Donfried

Kosova