Aktualitet23 Qershor 2022, 12:27

SHBA nis ‘operacionin’ “post Rama”: Udhëheqja e re, nga diaspora?!

Shkruar nga Pamfleti
SHBA nis ‘operacionin’ “post Rama”: Udhëheqja e re,

SHBA nis ‘operacionin’ “post Rama”: Udhëheqja e re, nga diaspora?!

Ka shumë gjasa që së shpejti, shqiptarët që jetojnë jashtë të propozojnë udhëheqjen e re të vendit, duke formuar një parti apo koalicion politik elektoral. Fuqia e diasporës është e madhe, pasi numri i tyre është thuajse 1 milionë e gjysëm, aq sa është edhe korpusi i votuesve në Shqipëri prej vitesh.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duket se ka nisur prej kohësh të punojë konkretisht për periudhën pas Edi Ramës në Shqipëri.

Pas tentativës një vit më parë për të përkrahur reformimin e opozitës së Lulzim Bashës që nisi deberishizmin e PD-së, por që ngeci si pasojë e influencës së fortë të elitës së vjetër, duket se manovrat po zhvillohen edhe në krahun tjetër.

Siç mësohet, zyrtari i lartë i DASH, njëkohësisht i dërguari për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar ka zhvilluar takime me disa grupime të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

Nisjen e këtyre takimeve, e bën të ditur edhe një prej përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në SHBA, artisti i njohur Haxhi Dauti, me origjinë nga Struga, i cili prej 50 vitesh jeton në SHBA.

Dauti, i cili përveçse kantautor është edhe poet i njohur, drejton një organizatë që quhet Këshilli Shqiptaro-Amerikan. Pas takimit me Escobar, Dauti shkruan, “Takim i radhës me z.DAS Escobar sot 22 Qershor, 2022 në Departmentin e Shtetit ku shpalosëm çeshtjet aktuale, në Shqiperi, Kosovë, Maqedoninë Veriore, Mal të Zi dhe në të gjithë rajonin Shqiptar. Shpresojmë që këto takime të na sjellin pakëz drejtësi në trojet tona me ndihmën e mikut tonë të rëndësishëm SHBA ! Na perkrahni dhe na ndihmoni me këshilla, me fjalë të mira dhe të buta vëllezër dhe motra në këtë iniciative që ka marrë Këshilli Shqiptaro Amerikan”.

Kjo organizatë ka qenë një prej atyre që ka mbajtur lidhjen lobiste me Sali Berishën dhe Ilir Metën, edhe pas ndëshkimit të SHBA-së me “Non Grata”. Duket se është folur në hollësi për qëndrimin e SHBA-së në lidhje me Berishën, por edhe sanksionet e ardhshme për politikanët e korruptuar.

Pak kohë më parë, Organizata ‘Vatra’ zhvilloi një aktivitet jubilar në Nju Jork, ku ishte prezent edhe Ilir Meta, i cili dekoroi disa personazhe të diasporës. Por takimi i ‘Vatra’-s u bojkotua nga zyrtarët e lartë të SHBA, ku përherë të parë nuk pati një prezencë të rëndësishme.

Por përveç çështjes së politikanëve të ndëshkuar, duket se SHBA po përkrah që Parlamenti shqiptar të miratojë një reformë zgjedhore, ku të lejohen që të votojnë shqiptarët e diasporës, në vendin ku ata punojnë. Sipas gjasave do të funksionojë duke pasur një votë të dubluar; edhe elektronike, por edhe duke dërguar me postë votën e printuar nga aparati pas votimit.

Sipas planit fillestar, do të kenë mundësi të votojnë të gjithë ata shtetas shqiptarë, të cilët figurojnë në gjendjen civile dhe listën e plotë zgjedhore të shtetasve. Deri më sot, lista është thuajse gjysëm për gjysëm me qytetarë që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Ky numër i madh shqiptarësh që ndodhen jashtë është një mundësi shumë e rëndësishme për ndryshim cilësor në Shqipëri. Duke shtuar këtu faktin se edhe varësia klienteliste është më e vogël sesa brenda vendit.

Gjithsesi, në diasporë ka mjaft celula militantësh që u ka mbetur “ora” e vjetër dhe vijojnë përplasjen polarizuese ashtu si edhe në Shqipëri.

Duket, SHBA u ka bërë të ditur pjesëtarëve të diasporës, se mbështetja që ata u japin njerëzve nën sanksione nga SHBA në Shqipëri, është kundëproduktive dhe nuk do të sjellë asnjë rezultat pozitiv për vendin.

Në SHBA, disa ish punonjës të SHIK-ut, apo zyrtarë shtetërorë militantë janë përfshirë në mbështetje për Sali Berishën dhe Ilir Metën. Një ish-zyrtar i SHIK në SHBA kërkoi kohë më parë që “të qërohet nga Shqipëria ambasadorja Yuri Kim”.

Zyrtarët e qeverisë amerikane, u kanë bërë thirrje diasporës që të mos përdorin gjuhë të tillë polarizuese dhe të mos ndikohen nga pagesat që vijnë nga Tirana, pasi çdo gjë dihet në mënyrë preçize.

Madje edhe një ish-zyrtar i së majtës që jeton në SHBA, po sot është kthyer në një përkrahës të fortë të Sali Berishës, ju bë e ditur se një pjesë e pasurisë së tij ka ardhur nga burime të dyshuara për korrupsion. Ka shumë gjasa që së shpejti, shqiptarët që jetojnë jashtë të propozojnë udhëheqjen e re të vendit, duke formuar një parti apo koalicion politik elektoral. Fuqia e diasporës është e madhe, pasi numri i tyre është thuajse 1 milionë e gjysëm, aq sa është edhe korpusi i votuesve në Shqipëri prej vitesh. E ky korpus mund të sjellë një ndryshim të rëndësishëm politik në vend. PS, por edhe PD, ka kohë që përgatiten për këtë ndryshim, duke dërguar njerëz e zgjedhur përfaqësues të shoqatave të diasporës. Këtë e ka bërë edhe PD, ku një pjesë e madhe e anëtarëve të FRPD-së prej një viti janë larguar në SHBA dhe po formojnë seksione politike atje, të financuar nga Tirana./Pamfleti  

Kryesore #SHBA nis ‘operacionin’ “post Rama” diaspora udhëheqja e re

Aktualitet

·

22 Qershor 2022, 00:0600:06Aktualitet