Aktualitet 1 Shkurt 2023, 12:16

SHBA nis sanksionet ndaj Kosovës? Mediat serbe: Sapo u bllokua aplikimi në Këshillin e Europës!

Shkruar nga Pamfleti
SHBA nis sanksionet ndaj Kosovës? Mediat serbe: Sapo u bllokua aplikimi

Albin Kurti

“Për shkak të refuzimit të tij për të formuar Unionin e Komunave Serbe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori goditjen e parë të rëndë, me insistimin e padronit më të fortë të pavarësisë së Kosovës – Uashingtonit”

Lajmi kryesor në mediat serbe sot është se SHBA kanë nisur sanksionet politike ndaj Kosovës, si pasojë e rezistencës së Albin Kurtit për të firmosur Asosacionin e Komunave me shumicë serbe.

Gazeta “Veçernije Novosti” ka hapur gazetën me lajmin se SHBA ka lobuar që të bllokohet aplikimi i Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Europës.

E sipas Novostit, ky është vetëm fillimi.

E përditshmja e Beogradit, një media afër Kishës Ortodokse Serbe dhe qarqeve nacionaliste, thekson se SHBA dhe tre shtete të rëndësishme të BE-së kanë bllokuar aplikimin e qeverisë së Kosovës në Strasburg.

Sipas Novostit, sot Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës e ka nxjerrë jashtë rendit të ditës aplikimin e qeverisë së Kosovës.

“Për shkak të refuzimit të tij për të formuar Unionin e Komunave Serbe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori goditjen e parë të rëndë, me insistimin e padronit më të fortë të pavarësisë së Kosovës – Uashingtonit”, shkruan Veçernije Novosti.

Sipas saj, SHBA-ja dhe tre shtete të BE-së kërkuan nga disa vende anëtare të Këshillit të Evropës që çështjen e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të mos e fusin në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili mblidhet çdo të mërkurë, derisa Prishtina të tregojë konstruktivitet.

Sa të vërteta ka në lajmin e gazetës serbe?

A ka realisht një ndikim amerikan në këtë vendim të Këshillit të Europës, i cili mund të quhet sinjal, por jo zhvillim thelbësor. Veçernie Novosti, shkon më tej në lajmin e saj, ku thotë se SHBA ka rënë dakord për këtë qëndrim me Italinë, Francën dhe Gjermaninë. Praktikisht shtetet më të rëndësishme të Bashkimit Europian.

E ky është një sinjal i rëndë, madje i frikshëm, nëse i referohemi edhe një mesazhi që ambasadori i Kosovës në SHBA, i dërgoi Prishtinës pas takimit me Drejtorin e Ballkanit në Departamentin e Shtetit. Mesazhi i dhënë nga ambasadori Dugolli u publikua në gazetën Nacionale të Berat Buzhalës, por që deri më sot nuk është përgënjeshtruar. E marrë në këtë aspekt, pra nga mos përgënjeshtrimi, zyrtari i DASH është shprehur se SHBA nuk mund të vijojë më që të rrezikojë ushtarët e saj që të mbrojnë kufijtë e Kosovës, kur ky shtet nuk ka vullnet për të ecur përpara në pavarësinë e tij.

Një mesazh logjik. Si ka mundësi që Kosova apo qytetarët e saj të kërkojnë miradina e pretendime, ndërkohë që nuk kanë investuar për të mbrojtur tërësinë territoriale.

Mesazhi i Ilir Dugollit, sigurisht është më i rëndë se ai shkrimi që sjell sot Novosti, por në thelb flet për ndalimin e fjalëve dhe nisjen e veprave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Për mediat e Kosovës, SHBA ka dhënë një prononcim për çështjen e aplikimit në Këshillin e Europës, ku as nuk e mohon, as nuk e pohon.

Gazeta Nacionale e Prishtinës shkruan për këtë çështje: “Në një përgjigje për Nacionalen, zëdhënësja Katherine Judd, nuk ka dhënë shumë detaje rreth ‘korrespodencës së pretenduar diplomatike’.

Megjithatë, ajo e ka bërë të qartë se pozicioni i ShBA-së për Asociacionin është i mirënjohur, sidomos pas opinionit të përbashkët të këshilltarit Derek Chollet dhe emisari Gabriel Escobar.

Pozicioni i ShBA-ve është i mirënjohur: siç kanë theksuar dje Këshilltari Derek Chollet dhe Zëvendës-Asistent Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar në opinionin e tyre të përbashkëta, koha për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është tani. Përtej kësaj, ne nuk mund të komentojmë mbi korrospondencën e pretenduar diplomatike.” – thuhet në përgjigjen e tyre./Pamfleti

Kryesore #aplikimi në Këshillin e Europës #SHBA nis sanksionet ndaj Kosovës