Aktualitet27 Maj 2022, 09:28

SHBA, një kronikë tragjike e javës dhe diplomati ‘magjistar’

Shkruar nga Pamfleti
SHBA, një kronikë tragjike e javës dhe diplomati

SHBA, një kronikë tragjike e javës dhe diplomati ‘magjistar’

Kisinxheri e quan politikën e administratës së Klintonit në Ballkan si një kombinim i oportunizmit politik, paaftësisë dhe pamaturisë. Për Rambujenë thotë se nuk ishte një negociatë – siç pretendohet shpesh – por një ultimatum. Kisinxher merr anën e Serbisë okupuse dhe është një antishqiptar bazuar në deklaratat e tij për Kosovën. Pra plaku, diplomati 98 vjeçar vazhdon të flasin çartë edhe këto ditë lufte për liri në Ukrainë, të një lufte të paprovokuar, duke i dal në krah agresorit.

Shkruan Ramazan Bekteshi 

Epidemia e armëve: Analistë të ndryshëm pas masakrës në shkollën e Teksasit shprehen se ‘Epidemia jonë e armëve është një simptomë e demokracisë sonë të thyer’. Sërish zemrat e amerikanëve u thyen, tragjedia qe mund të parandalohej këputi jetë fëmijësh në bankat shkollore, sepse një parti me kokëfortësi vazhdon të loboj për të drejtën e armëmbajtjes. Tragjedia ndodhi sepse nuk ka legjislacion kuptimplotë për kontrollin e armëve, bilës përfaqësuesit e kësaj partie (Republikanët) në garë për Senat e Kongres marrin edhe fonde nga Shoqata Kombëtare e Pushkëve (NRA). Ka rreth 400 milionë armë zjarri në pronësi të qytetarëve në Shtetet e Bashkuara – rreth 46 për qind e totalit në botë, sipas ‘Small Arms Survey’, një studim jopartiak.

Të shtënat masive në shkollën fillore në Uvalde, Teksas, ku 19 fëmijë dhe dy të rritur u vranë me armën AR-15, shënoi tragjedinë e radhës. Pra, Republikanët që janë “pro-life” paradoksalisht lejojnë që këto fëmijë të vriten posa të nisin shkollën, përshkak se ata refuzojnë të votojnë për më shume restrikcione për armëmbajtje e kontroll rigoroz të bekgroundit. Kështu si është ligji për armë, edhe kushtetuta më e avancuar në botë është bërë një akt vetëvrasës, në formën e tashme të ligjit për armëmbajtje. Është absurde të lejohet të shiten armët automatike, dhe efekti i tyre tragjik po përsëritet nëpër shkolla, dhe leksioni kurrsesi të mësohet nga legjislatorët e njërës parti.

Nga ky leksion duhet të mësojnë edhe dy qeveritë tona në Tiranë e Prishtinë që armët me bollëk e pa kontroll po marrin për çdo ditë jetë njerëzish të pafajshëm. Asnjëherë nuk u bë një studim nga Tirana zyrtare se sa armë enden nëpër Shqipëri pas thyerjes se depove të armëve me 1997, dhe as për eksplozivin. As Prishtina nuk e ka pastruar Kosovën nga armët që ishin blerë nga populli e diaspora për luftë kundër okupatorit, por në paqe e vrasin vetë qytetarin.

Henri Kisinxheri, për Kosovën e Ukrainën: Sërish në një moment historik e kritik ashtu si me Kosovën, ish-sekretari i shtetit Kisinxher e shkreti duke thënë se, Ukraina duhet t’i fal territor Rusisë. Shumë historianë kanë shkruajtur për Kisinxherin, për rolin e një burrështetasi kontrovers në formësimin e historisë së shek. XX-të. Derisa disa historianë e konsiderojnë Kisinxherin një realist ikonik të epokës sonë, e disa të tjerë siç sugjeron Ferguson, një idealist i keqkuptuar. A ka qenë ai, një forcë për të mirën apo për të keqen e paqes?

Nicholas Thompson, historian thotë: “Henry Kissinger është një nga njerëzit më të këqij që kanë ekzistuar ndonjëherë, një forcë e së keqes. Ai i manipuloi kolegët dhe kombet. Ai falsifikoi fillimin e një lufte bërthamore për të avancuar një teori perverse të lojës personale. Ai kryente pandjeshëm krime ndërkombëtare… në përgjithësi, ai ishte dhe është shumë i mbivlerësuar si burrështetas.”

Mario Del Pero, profesor i historisë ndërkombëtare thotë: “… Atij sigurisht i pëlqente të paraqiste (dhe të përfaqësonte) veten si një mendimtar realist pa kuptim, që mund t’i mësonte Amerikës naive dhe hiper-idealiste se si të sillej në arenën brutale të politikës ndërkombëtare. Dhe Amerika e pas vitit 1968 e donte, për njëfarë kohe, atë lloj mesazhi i cili dukej se ofronte zgjidhjen e nevojshme për të dalë nga Vietnami, dhe për të braktisur përfundimisht kryqëzatat kishtare në emër të demokracisë, modernizimit dhe zhvillimit.”

Disa mëkate të Kisinxherit: Ai përkrahu diktaturën ushtarake në Pakistan (1971), kishte rol në aferën ‘Watergate’, një skandal i shekullit që do të mbahet mend në historinë amerikane, derisa për luftën në Kosovë shprehet se: “Lufta e pamenduar në Kosovë ka dëmtuar marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë dhe ka vënë NATO-n në rrezik.

Kisinxheri e quan politikën e administratës së Klintonit në Ballkan si një kombinim i oportunizmit politik, paaftësisë dhe pamaturisë. Për Rambujenë thotë se nuk ishte një negociatë – siç pretendohet shpesh – por një ultimatum. Kisinxher merr anën e Serbisë okupuse dhe është një antishqiptar bazuar në deklaratat e tij për Kosovën. Pra plaku, diplomati 98 vjeçar vazhdon të flasin çartë edhe këto ditë lufte për liri në Ukrainë, të një lufte të paprovokuar, duke i dal në krah agresorit.

Forum Henri Kisinxheri Ramazan Bekteshi SHBA