
SHBA përforcon thirrjet kundër Berishës/ Ambasadorja Yuri Kim takon kreun e SPAK: Askush nuk është mbi ligjin!
Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, është takuar ditën e sotme me kreun e SPAK, Arben Kraja.
Me anë të një postimi në rrjete sociale Yuri Kim ka theksuar se SHBA mbështet fuqishëm reformën në drejtësi dhe punën e SPAK për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të çuar para ligjit edhe zyrtarët e lidhur me krimin e organizuar.
“U takova sot me kreun e SPAK Arben Kraja për të përgëzuar prokurorët dhe hetuesit që kanë prodhuar më shumë rezultate reale në emër të publikut shqiptar. Rekordet në rritje të hetimeve, ndjekjeve penale dhe konfiskimeve të pasurive, tregojnë se askush nuk është mbi ligjin.
SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm reformën në drejtësi, duke përfshirë punën e SPAK për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, për të mbajtur përgjegjës zyrtarët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, për të forcuar sundimin e ligjit në Shqipëri. Kjo është e nevojshme për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Europian dhe për të përmbushur kërkesat e qytetarëve për drejtësi”, shkruan ambasadorja.
1/2 Met today w/ @SPAK_Albania Chief @KrajaArben1 to congratulate prosecutors & investigators for producing more & more real results on behalf of the Albanian public. The growing record of investigations, prosecutions, confiscation of assets etc show that no one is above the law.
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) April 8, 2022
Ky takim i sotëm vjen pas një serie takimesh me kryeparalmentaren Lindita Nikolla, kreun e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeajn dhe kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Ju rikujtojmë se ditën e djeshme SHBA dha disa paralajmërime të forta për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili ka ndërmarrë sulm frontal ndaj ambasadores, Yuri Kim që njohu Enkelejd Alibeajn si kryetar të përkohshëm të PD.