Teksa në deklaratën e parë të bërë fill pasi u rizgjodh president i Bullgarisë, Rumen Radev konfirmoi edhe njëherë qëndrimin që nuk duhet të ketë asnjë lëshim ndaj Maqedonisë, gjë që penalizon edhe Tiranën për negociatat, ka ardhur një ultimatum nga Uashingtoni.
Dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan përmes një letre, i kanë vendosur ultimatum Bullgarisë që deri në fund të vitit duhet të zgjidhë çështjen e vetos që ka vendosur për negociatat e anëtarësimit për Shkupin, që penalizon edhe Tiranën.
Në letrën e republikanëve William Keating dhe Claudia Tenny, thuhet se vonesa në anëtarësimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë në BE do të lejojë ndikime anti-evropiane në rajon, veçanërisht nga Rusia dhe Kina. “Pranimi i të dy vendeve është kritik për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor” thuhej në letër.
“Tre vendet e Ballkanit, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore, janë anëtarësuar me sukses në NATO. Për këto arsye, anëtarët e Kongresit në të dy anët e sallës kanë shprehur mbështetjen e tyre të fortë për integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”.
Në të njëjtën kohë, anëtarët e Kongresit theksuan se megjithëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë përmbushur kushtet për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, “mbetet një mosmarrëveshje midis vendit tuaj dhe Maqedonisë së Veriut që po e pengon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë negociatat.