Aktualitet24 Qershor 2022, 20:53

SHBA, ultimatum SPAK dhe ILD: Ndryshimi i Shqipërisë, në duart tuaja!

Shkruar nga Pamfleti
SHBA, ultimatum SPAK dhe ILD: Ndryshimi i Shqipërisë, në duart

“Varet nga vigjilenca dhe angazhimi i institucioneve si Inspektorati i Lartë i Drejtësisë për të ruajtur përparimin kundër korrupsionit dhe për të garantuar integritetin e sistemit gjyqësor”

Deklarata e sotme e diplomatit të rëndësishëm amerikan në Tiranë, drejtuar drejtësisë së re ka qenë mjaft e fortë. Në mënyrë të qartë, Demian Smith, numri dy i ambasadës amerikanë në Tiranë, në një takim të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë theksoi qartë e prerë që drejtësia duhet të sjellë ndryshimin e pritur në vend. Ju është dhënë e gjithë mbështetja ligjore dhe infrastrukturore për të vepruar, tani është topi në fushën tuaj, ka lënë të kuptohet në fjalimin e tij zyrtari i ambasadës së SHBA, i cili është i ngarkuar për çështjen e rule of low në Shqipëri.

Ndryshimi i vërtetë, domethënës, ju takon juve, palëve në sistemin e drejtësisë, që të përqafoni reformën dhe ta bëni sistemin funksional për çdo shqiptar”, deklaroi Demian Smith, fjalimi i të cilit është publikuar në faqen e ambasadës amerikane në Tiranë.

E ky qëndrim tregon hapur se SHBA dhe partnerët kërkojnë frytin e asaj që kanë mbjellur prej 2016-s për reformën në Drejtësi.

Kërkojnë korrektësinë e gjyqtarëve e prokurorëve që i kanë mbijetuar vettingut, e tani duhet të tregojnë se përse ata janë në krye të këtyre institucioneve që nuk janë rutinore. SPAK dhe BKH janë krijuar për një qëllim të qartë; luftën ndaj mafias dhe zyrtarëve të korruptuar. E këtu, duket se SHBA e BE nuk presin apo nuk do të tolerojnë një jetesë amfibe të këtij komuniteti. Nga ana tjetër, SHBA i ka bërë të qartë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë që drejton Artur Metani, se nuk është normale që edhe pse vijojnë skandalet e gjyqtarëve, ky institucion nuk vepron. Mjafton të shikosh ankesat e pafund nga ana e njerëzve për gjyqtarë e vendime të veçanta dhe ILD i përcjell me “gurë në trastë”.

Ka qenë i prerë diplomati amerikan në këtë aspekt: “Varet nga vigjilenca dhe angazhimi i institucioneve si Inspektorati i Lartë i Drejtësisë për të ruajtur përparimin kundër korrupsionit dhe për të garantuar integritetin e sistemit gjyqësor“, ka thënë Demian Smith. I cili më pas ka sjellë qëndrimin e SHBA në lidhje me atë që tashmë duhet të kryejë drejtësia shqiptare. Sipas SHBA, realisht sot nuk ka më pengesë për hetimet e mëdha, duhet thjesht kurajo, në radhë të parë për pastrimin e gjyqësorit.

Shqiptarët kanë filluar të shohin rezultate — nga largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar e deri te arrestimet e politikanëve, policëve dhe kriminelëve. Ne po fillojmë të shohim një epokë të re ku sistemi mund t’u shërbejë qytetarëve të tij dhe jo vetëm atyre që kanë lidhje politike, të pasurve dhe kriminelëve.

Ky është një fillim dhe më shumë duhet bërë. Ju keni ndërtuar institucione të reja drejtësie në emër të popullit shqiptar. Është po aq e rëndësishme që t’i përdorni ato në fuqinë e tyre të plotë, në emër të bashkëqytetarëve tuaj. Ju duhet të jeni efikasë, të pavarur dhe të paanshëm për të siguruar një sistem drejtësie të fortë, të drejtë dhe të ndershëm, i cili do ta mbajë demokracinë tuaj të fortë.

Shtetet e Bashkuara ju nxisin që të vazhdoni punën e mirë dhe punën e madhe, pavarësisht pengesave që hasni. Krahas partnerëve tanë të BE-së – dhe dua t’i bashkohem komenteve të kolegut tim europian për partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për reformën në Drejtësi – ne mbështetëm fillimin e Reformës në Drejtësi në 2016-ën dhe kemi qenë aty në çdo hap të rrugës, përmes vetingut dhe krijimit të institucioneve e reja. Kemi nisur të shohim ndikimin e një gjyqësori më të pastër të prokurorëve dhe hetuesve të përkushtuar kundër korrupsionit”, deklaroi numri dy i ambasadës amerikane në Tiranë.

Tashmë SHBA, e bën të qartë se nuk është vetëm SPAK institucioni që pret një zhvillim më proaktiv, por edhe ILD, KLP dhe KLGJ, e këtë e ka bërë të qartë se nuk ka më llastime, por pret vepra. Këtu nis edhe matja e performancës së një pushteti, ku nëpërmjet OMN-së, SHBA e monitoron afër dhe ka mundësi të nxjerrë thjesht kush punon e kush e ka me hile. E rezultatet priten të dalin së shpejti…/Pamfleti

Kryesore #Smith Korrupsion SHBA