Aktualitet13 Prill 2022, 18:53

Sheikët e politikës/ Një deputet dhe një kryetar bashkie kanë fshehur pasuritë, ILDKP dhe prokuroria mbajnë sekret emrat

Shkruar nga Pamfleti
Sheikët e politikës/ Një deputet dhe një kryetar bashkie

Pushtetarët shqiptarë vijojnë të fshehin pasuritë. Teksa amerikanët kanë shtuar presionet ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe disa emra kanë shkuar pas hekurave, ata që nuk justifikojnë dot të ardhurat kanë nisur të fshehin apartamentet, pronat dhe llogaritë bankare.

Të dhënat janë publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në raportin e publikuar dje për të drejtat e njeriut, i kushtohet një hapësirë edhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Sipas të dhënave që kanë mbledhur amerikanët, vitin që lamë pas janë kallëzuar për fshehje pasurie një deputet, një prokuror, një kryetar bashkie dhe një drejtor i lartë administrate.

“Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit raportoi se deri në muajin gusht kishte referuar katër çështje të reja për ndjekje penale, ku përfshihej një deputet, një kryetar bashkie, një drejtor i përgjithshëm i administratës publike dhe një prokuror. Akuzat përfshinin refuzimin e deklarimit të pasurisë, fshehjen e pasurisë ose falsifikim i deklaratave të pasurisë; pastrim parash dhe evazion fiskal”, shprehet DASH.

Pyetja që shtrohet është se kush janë zyrtarët e kallëzuar për fshehje pasurie? Skandali është se prej disa vitesh, mbahen sekret të dhënat për politikanët që fshehin pasuritë. Ka shumë deputetë, drejtorë, krerë bashkish dhe funksionarë që kanë përfunduar në prokurori, por si ILDKP, ashtu dhe prokuroria i mbajnë të fshehta identitetet e tyre.

Fshehja e emrave duket se ju jep dorë të lirë politikanëve që të mbyllin dosjet në prapaskenë. Kjo për faktin se asnjë politikan nuk është dënuar për fshehje pasurie. Adriatik Llalla është i vetmi zyrtar i dënuar, ndërkohë që gjithë të tjerët ja hedhin paq. /Pamfleti/

Aktualitet DASH ILDKP pasuri SPAK