Editorial 1 Dhjetor 2022, 18:11

Shënim: A e shkarkoi Edi Rama, Taulant Ballën?!

Shkruar nga Pamfleti
Shënim: A e shkarkoi Edi Rama, Taulant Ballën?!

Shënim: A e shkarkoi Edi Rama, Taulant Ballën?!

A do të jetë Taulant Balla “Kadri Hazbiu” i radhës…

Një ditë pas debatit të ashpër ndërmjet dy krerëve të grupit parlamentar socialist; Erion Braçe dhe Taulant Balla, është prononcuar vetë kreu i PS-së, Edi Rama.

I cili ka dhënë një mesazh krejt të qatë, duke i dhënë të drejtë Erion Braçes.

“Erion Braçe është institucion dhe zemrën e ka të bardhë”, tha Rama. Që i bie se në këtë debat dikush tjetër e ka të zezë, e që ky është Taulant Balla, ose më mirë, njeriu që përflitet në përgjimin që e bëri publik një nga pjesëtarët e fisit Çapja në Gjykatë…

Sepse nuk ka sesi të jetë ndryshe. Nëse Rama do të thoshte se do ta diskutojmë, atëherë merrte kohë, nëse do të deklaronte se Braçe e ka gabim që e nxori në publik këtë çështje pa e ngritur shqetësimin e tij në forume, ishte tjetër gjë. Por kur e ngre lart Braçen, sidomos kur e quan “institucion” apo “zemërbardhë”, atëherë situata është shumë e rëndë për Taulant Ballën.

Kur Ditmir Bushati, i kishte shfaqur shenja disidence Edi Ramës, ky i fundit i kishte folur me gjuhën e Tom Doshit, duke e cilësuar njeri “me shpirt të zi”.

E dihet tashmë trajektorja që mori Bushati nga drejtues i qarkut Shkodër në një person që nuk është më as deputet, pëveçse një anëtar kryesie i PS-së, organ që tashmë nuk ka ndonjë vlerë reale.

Nisur nga precedentët e Enver Hoxhës, Sali Berishës, madje edhe vetë Edi Ramës, në fillim mesazhi pozitiv ndaj Braçes u pa si një afrim për t’u ndëshkuar.

Megjithatë nuk ka shenja të tilla, pasi kryeministri shkoi përtej, në cilësimet e tij. E quajti Braçen institucion… Kështu që qartësisht njeriu që mund të konsiderohet i ndëshkuar është Taulant Balla, i cili ka shumë kohë që nuk e ka takuar fizikisht Edi Ramën e si rezultat po përjeton një stres të madh… Pavarësisht se ka arritur të krijojë situata individuale, si vizita te Hashim Thaçi apo pastime që nuk kanë lidhje me Ramën, në thelb, Balla është “Kadri Hazbiu i radhës”.

Rama duket se ka zgjedhur të afrojë Erion Braçen, për të mos rrezikuar një çarje në PS. Erioni mund të marrë me vete të paktën 3 deputetë, kurse Taulantin, realisht asnjëri nuk e simpatizon në grupin parlamentar.

Rama, duket se ka ndërmarrë një fushatë të shpejtë për të ndaluar një revoltë, e cila po nisi, mund të shkaktojë probleme edhe më të mëdha. /Pamfleti

Editorial “Pamfleti” #A e shkarkoi Edi Rama Taulant Balla

Editorial