Bota28 Nëntor 2022, 13:24

Shkatërrohet karteli që furnizonte 1/3 e Europës me kokainë, kapen në Dubai 8 baronët e drogës; 49 të arrestuar

Shkruar nga Pamfleti
Shkatërrohet karteli që furnizonte 1/3 e Europës me kokainë,

Europol, policia angleze dhe Garda Civile e Spanjës kanë goditur një rrjet të trafikut të kokainës në Europë. Operacioni policor i koduar “Drita e shkretëtirës”, që ka shkatërruar një kartel droge që kontrollonte një të tretën e tregtisë së kokainës në Evropë, cilësohet si historik nga autoritetet spanjolle dhe britanike, pasi ka çuar pas hekurave 49 persona në vende të ndryshme, përfshirë Francën dhe Dubain.

Operacioni i madh ndërkombëtar çoi në sekuestrimin e 30 tonëve kokainë si dhe supermakina të bandës, vila luksoze dhe grumbuj parash në bastisjet që u zhvilluan të koordinuara.

Policia spanjolle ka bërë me dije se lideri i organizatës është një “shtetas britanik”, i cili u largua nga baza e tij e mëparshme në Costa del Sol për t’u fshehur në Dubai, ku është vendosur Grupi i Krimit të Organizuar “Kinahan”, pas një tentative rrëmbimi.

Më pas “lordi i drogës” u arrestua në Dubai. Një tjetër britanik ndërkohë u arrestua në Costa del Sol, sipas një burimi të policisë spanjolle, ndërsa oficerët bastisën një sërë vilash në Marbella, Madrid dhe Barcelonë.

“Kupolat e drogës të konsideruara si objektivat më me vlerë nga Europoli ishin bashkuar për të formuar atë që njihej si një “super kartel” që kontrollonte rreth një të tretën e tregtisë së kokainës në Evropë. Shkalla e importit të kokainës në Evropë nën kontrollin dhe komandën e të dyshuarve ishte masive dhe mbi 30 ton drogë u sekuestruan nga forcat e rendit gjatë hetimeve”, njoftoi agjencia e zbatimit të ligjit të BE-së, Europol.

Europol nënvizoi se Dubai kishte arrestuar dy të dyshuar të rëndësishëm që janë të lidhur me Holandën, dy të tjerë të lidhur me Spanjën dhe dy të tjerë të lidhur me Francën.

“Një nga të dyshuarit holandezë është një peshk jashtëzakonisht i madh”, tha një burim i Europol për gazetën franceze AFP në kushte anonimiteti.

Operacioni 1

Dhjetë persona u arrestuan në Belgjikë, gjashtë në Francë dhe 13 në Spanjë. 14 persona të tjerë u arrestuan në vitin 2021 në Holandë si pjesë e të njëjtit operacion.

Një nga të arrestuarit në Dubai mendohet të jetë një shtetas panamez që furnizonte kokainën.

Një zëdhënës tha: “Ai dyshohet se është përgjegjës për futjen e drogës në portin e Manzanillo në Panama, i cili gjithashtu kishte lidhje me baronët e tjerë të drogës në Dubai”.

Policia spanjolle tha se më shumë se 500,000 euro u konfiskuan gjatë një bastisjeje në një seri vilash luksoze në Spanjë, së bashku me tre armë, makina dhe ora luksoze.

Garda Civile thotë se disa nga automjetet kishin vlerë rreth 300,000 euro secila.

Pamjet e publikuara nga Garda Civile sot treguan oficerë të armatosur rëndë që hynë me forcë në pallate ku bënë disa nga arrestimet dhe morën të dyshuarit në pranga.

Në Spanjë, Garda Civile tha se operacioni i tyre, i quajtur Operacioni Faukas, kishte filluar me sekuestrimin e 700 kilogramëve kokainë në portin e Valencias në mars 2020.

Një zëdhënës i policisë spanjolle tha: “Gjatë hetimit, oficerët zbuluan se një organizatë kriminale po kontrabandonte kontejnerë me kokainë përmes porteve të Barcelonës, Valencias dhe Algeciras”.

“Ata zbuluan gjithashtu se një biznes kompleks i pasurive të paluajtshme ishte organizuar në Costa del Sol për të pastruar të ardhurat nga fitimet e marra nga kontrabanda e drogës. Udhëheqësi i kësaj organizate u identifikua si një britanik i lidhur me Costa del Sol, i cili duhej të linte Spanjën dhe të shkonte në Dubai pasi ishte subjekt i një tentative rrëmbimi.

Nga Dubai ai vazhdoi të drejtonte dhe koordinonte aktivitetet kriminale të organizatës, duke mbajtur në të njëjtën kohë kontakte të trafikut të drogës dhe interesa biznesi me pjesën tjetër të bosëve të drogës me bazë në këtë qytet të emiratit”, thuhet më tej në njoftim.

Bastisjet dhe arrestimet ndodhën në të gjithë Evropën dhe në Dubai midis 8 dhe 19 nëntorit.

“Organizata kriminale me bazë në Spanjë kishte dy struktura të diferencuara, pjesa që kishte për detyrë nxjerrjen e drogës në portet detare dhe tjetra përgjegjëse për pastrimin e parave nëpërmjet firmave të pasurive të paluajtshme. Pjesa e parë ishte e vendosur midis provincave të Barcelonës dhe Malaga-s dhe kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në Portin e Barcelonës”, sqarohet në vijim.

Struktura që pastronte paratë përbëhej nga dy bullgarë, njëri prej të cilëve ishte një objektiv me vlerë të lartë për Europolin, dhe tre persona me origjinë spanjolle, duke përfshirë një punonjës porti të Barcelonës, i cili ishte përgjegjës për hyrjen dhe daljen e automjeteve.

“Pjesa tjetër ishte e përbërë nga persona të cilëve u kishte besuar lideri kryesor i organizatës kriminale. Ai bazohej në Costa del Sol, qendra nervore për aktivitetet e saj financiare ku ata kishin blerë prona me vlerë më shumë se 24 milionë euro dhe kishin pastruar paratë e tyre të drogës”, shtohet më tej.

Bota Arrestime operacion antidroge