Pazari për biznesin e kullave në zonën PD-BKT, i pranuar nga Zv/kryetari i Bashkisë-Tiranë, Arbjan Mazniku, u dekonspirua nga vetë Sali Berisha dhe dhëndri i tij ndërtues, pas sulmit të dështuar të grupit “Foltorja” për uzurpimin e selisë së PD; nisur si konflikt mes pronarit të PD dhe kryetarit të saj, gjë që prishi dhe pazarin e kullave, për shkak se familja “non grata” u la jashtë këtij biznesi nga Rama e Veliaj
Fala e urtë: “Ku ka zë, s’është pa gjë”, gjen mëshirim në informacionin e ardhur te “Pamfleti”, lidhur me një gjurmë tjetër të freskët, që konfirmon skenarin e dyshes Berisha-Rama të shtatorit 2019, për ndërtim kullash në zonën BKT-PD.
Ndërsa turqit, i kanë dhënë oligarkut Shkëlqim Fusha, godinën e BKT pranë PD-së, kundrejt dhe një kompensimi shtesë me 10% mjedise, te kullat që do ndërtohen në atë zonë buzë Lanës.
Ndërsa kryebashkiaku Erjon Veliaj, si pjesë kryesore e zbatimit të skenarit, duke shfrytëzuar rastin e tërmetit të 26 nëntorit 2019, zbatoi urdhërin e Edi Ramës, për të bërë vlerësimin e zyrave të BKT me klasifikimin: “Objekt i dëmtuar dhe me rrezikshmëri të lartë shëmbjeje”.
Ndërkohë që 2 muaj para tërmetit, kishte bërë pranimin e kërkesës së ish-pronarëve të truallit te PD, dhe të pronarëve turq te BKT për zhvillimin zonës, por duke e mbajtur në sirtar, për miratim pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Siç deklaroi Zv/kryetari i Bashkisë së Tiranës, Arjan Mazniku, shefi i tij Erjon Veliaj e ka pranuar projektin indian të kullave, porositur 1.5 milionë Euro nga oligarku Shkëlqim Fusha, i cili është dhe përfaqësues ortak i turqve te trualli i BKT dhe investitor e ndërtues i kullave.
Mirëpo konflikti mes pronarit të PD, Sali Berisha dhe kryetarit Basha, prishi dhe pazarin e kullave, për shkak se familja “non grata” u la jashtë këtij biznesi.
Siç dihet, pazari për biznesin e kullave në zonën PD-BKT, u dekonspirua nga Berisha e dhëndri i tij ndërtues, pas sulmit të dështuar të grupit “Foltorja” më 8 janar, për uzurpimin e selisë së PD.
Atë ditë, Berisha publikoi Projekt-Maketin indian të kullave dhe akuzoi Bashën, se bashkë me Ramën përdorën policinë e shtetit për të mbajtur peng selinë e PD, mbasi kanë plan ta rrafshojnë për të ndërtuar kulla, ndërsa Basha e mohoi të ketë një plan të tillë.
Mirëpo, Zv/kryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku, konfirmoi faktin, se te Erjon Veliaj është dorëzuar një kërkesë për kulla në territorin PD-BKT dhe projekti është në proces për leje ndërtimi, qysh nga koha kur Berisha e Basha ishin bashkë si një familje.
Më 17 janar 2022, “Pamfleti” publikoi dokumente, që vërtetojnë se skenari për kullat te zona PD-BKT-Parlament ka nisur qysh më 14 korrik 2011 nga Berisha-Meta, me Ligjin Nr.10449, për rrafshimin e godinës së parlamentit ekzistues dhe ndërtimin e një godine te re te ish-Piramida.
Por këtë projekt e bllokoi Rama pas ardhjes në pushtet më 2013, dhe e futi në veprim në shtator 2019, me vendimin për rrafshimin e parlamentit ekzistues dhe ndërtimin e një kompleksi të ri parlamentar, madje sipas projektit që kishin përzgjedhur Berisha e Meta në vitin 2011.
Fakti është se prej mëse 1 viti, BKT ka lënë ndërtesën gjoja të dëmtuar nga tërmeti, dhe po ushtron aktivitet me zyra qendrore, te godina që ndërtoi e i ka dhënë si këmbim oligarku Shkëlqim Fusha në Lundër; madje më 1 shtator 2021, Erjon Veliaj shkoi e inauguroi dhe kopshtin e fëmijëve brenda godinës së kësaj banke./Pamfleti