Aktualitet21 Nëntor 2022, 07:26

Shkodra zgjohet nën ujë! Ende asnjë gjurmë nga të zhdukurit në Bogë, Balluku apel opozitës: Mos dezinformoni

Shkruar nga Pamfleti
Shkodra zgjohet nën ujë! Ende asnjë gjurmë nga të

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëkohësisht zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku ka vizituar pak para mesnatës së kaluar Hidrocentralin e Vaut të Dejës.

Balluku tha janë bërë shkarkime të organizuara pasi ka patur reshje përtej pritëshmërive. Në të kundërt, sipas Ballukut, përmbytjet do të kishin qenë edhe më të mëdha.

Ajo i kërkoi opozitës që të mos dezinformonin qytetarët për situatën.

 “Kemi pasur reshje me intensitet të lartë që kanë qenë mbi parashikimet tona dhe na është dashur të bëjmë shkarkime të organizuara. Në të kundërt do të kishim përmbytje masive. Kemi pasur një zonë të ngarkuar atmosferike. Fronti po spostohet në jug. Pas një viti shumë torturues fushës energjetike, do të mund të kemi prurje të konsiderueshme në hidrocentralin e Fierzës.  Ne e ndjejmë detyrim të informojmë se qytetarët dizinformohen nga njerëz që nuk e prekin terrenin dhe kur ka emergjenca e shfrytëzojnë për qëllime politike.”, tha Balluku.

Ndërkohë, ende nuk dihet fati i babë e bir që i mori rrjedha e ujit në Bogë. Sot do të bëhen kërkime me dron nëse do të ketë mbetje të makinës me të cilën po udhëtonin.

Së bashku me ta ishte edhe vajza që arriti të dilte me ta dhe u ndihmua nga një banor i zonës.

Ndërkohë afro 1 mijë hektarë tokë bujqësore janë nën ujë në veri. 21 familje janë evakuuar. Disa fshatra janë pa drita dhe ka probleme në rrugët dytësore.

Përroi Nikgjonaj në Theth ka dalë nga shtrati ku ka prezencë uji në 3 banesa. Edhe në hyrje te qytetit të Shkodrës, te Harku i Bërdicës ka prezencë uji dhe aksi është i kalueshëm vetëm për mjete te tonazhit të lartë.

Prej prurjeve, është shembur ura e vjetër e Bahçallekut dhe është ndaluar qarkullimi në urën e re. Ka tejmbushje të kanaleve kulluese.

Ndërsa në fshatin e Bardhajve në Shkodër, me shume se 10 shtëpi janë të rrethuara nga uji.

Përmbytje tokash u regjistruan edhe ne Dajç të Shkodrës, dhe ne Hajmel e Vig Mnele në Vaun e Dejës.

Në qarkun e Lezhës pati probleme në Shëngjin janë përmbytur disa akse rrugore, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Është pezulluar lundrimi  ndërsa në fshatra ka probleme me furnizimin me energji.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike përgjatë të gjithë bregdetit ka shkaktuar probleme në lëvizje dhe në Durrës. Në qytet dhe fshatra reshjet intensive të shiut përgjatë natës dhe paradites kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Lagjet më problematike janë ato në afërsi të stadiumit dhe ujësjellësit të Durrësit, ku uji ka pushtuar kryqëzimet dhe është ngjitur në trotuare si dhe  në disa rrugë dytësore të Shkozetit e Plazhit.

Aktualitet Balluku moti i keq Shkodër