Gjykata e Fierit ka dhënë masën ‘arrest me burg’ për Anxhelo Kapaj dhe ‘arrest shtëpie’ për Qamile Kapajn, në banesën e të cilëve u gjet një laborator droge.
Mësohet se Qamilja e ka pranuar faktin që ka kultivuar drogën e detyruar nga kushtet e vështira ekonimike. Ajo thotë se ka marrë borxh 25 milionë lekë tek të afërmit e saj.
Gruaja është penduar dhe ka kërkuar falje ndaj organeve të drejtësisë.
Për Anxhelo Kapaj mbrojtja ka thënë se nuk jetonte në banesën e prindërve por tek motra e tij. Shkonte në shtëpi tek prindërit për ritet e Ramazanit në mëngjes dhe mbrëmje.
Në kërkim për këtë ngjarje është shpallur edhe kryefamiljari, Aleksandër Kapaj, së bashku me një 33-vjeçar nga Kosova, i cili ishte bashkëpunëtor i tij.
Sakaq janë proceduar penalisht edhe 3 elektricistë për shpërdorim detyre pasi në ambientet e jashtme në shtëpi, është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin e paisjeve, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.
Kur u zbulua laboratori gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 312 fidanë kanabis, të kultivuara.