Aktualitet 9 Tetor 2022, 12:57

Shorti i “EURO 2024"/ Shqipëria shmang rivalët “BIG”, Kosova “derbi” përballë Zvicrës

Shkruar nga Pamfleti
Shorti i “EURO 2024"/ Shqipëria shmang rivalët

Është hedhur sot në Frankfurt shorti i kualifikueseve të “EURO 2024”.Goglat e hedhura kanë përcaktuar kundërshtarët për Shqipërinë dhe Kosovën. 

Nga vazo e parë, kombëtarja e drejtuar nga Edi Reja “peshkoi” Poloninë, duke shmangur të gjithë rivalët e tjerë të mëdhenj, por polakët nuk janë ekip i lehtë, mjafton të shohim dy ndeshjet e fundit në kualifikueset e Botërorit, ku na mposhtën në të dy takimet. Kundërshtarët e tjerë të Shqipërisë janë edhe Çekia, Ishujt Faroe dhe Moldavia. 

Ndërsa Kosova do të ketë një grup të vështirë gjatë këtyre eliminatoreve 

Kosova e Alen Zhires do të përballet në derbi me ekipin e Zvicrës, ku përveç lojtarëve me origjinë shqiptare, aty banojnë edhe një numër i madh shqiptarësh nga “Dardania”. 

Në grupin I, i cili është një nga tre grupet me gjashtë skuadra, Kosova do të luajë edhe përballë dy ekipeve të tjera të forta, Izraeli dhe Rumania,ndërkohë që të lehta, të paktën në letër, konsiderohen përballjet me Bjellorusinë dhe Andorën. 

Ndeshjet eleminatore të Europianit do të luhen në periudhën mars- nëntor 2023. 

Kompeticioni fillon më 14 qershor të vitit 2024 dhe do të përfundojë me finalen e madhe të 14 korrikut në “Olympiastadion” të Berlinit. 

Shorti i plotë i eliminatoreve të “EURO “2024”

GRUPI A – Spanjë, Skoci, Norvegji, Gjeorgji, Qipro 

GRUPI B – Holandë, Francë, Irlandë, Greqi, Gjibraltar 

GRUPI C – Itali, Angli, Ukrainë, Maqedoni e Veriut, Maltë 

GRUPI D – Kroaci, Uells, Armeni, Turqi, Letoni 

GRUPI E – Poloni, Republika Ceke, Shqipëri, Ishujt Faroe, Moldavi 

GRUPI F – Belgjikë, Austri, Suedi, Azerbajxhan, Estoni 

GRUPI G – Hungari, Serbi, Mali i Zi, Bullgari, Lituani 

GRUPI H – Danimarkë, Finlandë, Slloveni, Kazakistan, Irlandë e Veriut 

GRUPI I – Zvicër, Izrael, Rumani, Kosovë, Bjellorusi, Andorrë 

GRUPI J – Portugali, Bosnjë Hercegovinë, Islandë, Luksemburg, Sllovaki 

Kryesore "EURO 2024" Kosova shorti i eliminatoreve Shqipëria