Sport 8 Tetor 2022, 21:04

Shorti i kualifikueseve të “EURO 2024”, rreziqet e Shqipërisë nga vazoja e dytë tek e katërta

Shkruar nga Pamfleti
Shorti i kualifikueseve të “EURO 2024”, rreziqet e

Shorti i kualifikueseve të “EURO 2024”, rreziqet e Shqipërisë nga vazoja e dytë tek e katërta

Mesditën e 9 tetorit, në Frankfurt do të hidhet shorti i kualifikueseve “EURO 2024”, ku në garë janë 53 kombëtare, pasi Gjermania është pritëse dhe Rusia e skualifikuar. Do të jenë 7 grupe me nga 5 skuadra, ndërsa tre të tjerë me nga 6 të tilla.

Të sigurta që do të shortohen në grupe me 5 ekipe janë Italia, Kroacia, Spanja dhe Holanda, katër finalistet e Ligës së Kombeve. Shqipëria do të jetë pjesë e Vazos së Tretë, falë së cilës shmang disa rivalë shumë të komplikuar si Norvegjia, Ukraina, apo edhe Suedia, e cila ka shumë eksperiencë në të tilla evenimente.

Gjithsesi, sido që të shkojë, kualifikimi do të jetë një mision tepër i vështirë për përfaqësuesen tonë, pasi mjafton të shohësh skuadrat e Vazos së Parë dhe të Dytë për të kuptuar se mund të kesh dy ekipe shumë të forta.

Shorti i kualifikueseve të “EURO 2024”, rreziqet e Shqipërisë nga vazoja e dytë tek e katërta

Fati do të ishte me Kombëtaren tonë nëse nga vazo e dytë bie Hungaria, Izraeli apo Uellsi me Bosnjën. Por nga ana tjetër, nga vazo e katërt mund të vinte fat i keq, teksa mund të shortohemi me Turqinë apo Greqinë, dy skuadra të forta apo edhe me Kosovën.

“Shqipëria do të njohë këtë dielë kundërshtarët që do të ketë përballë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2024, me shortin që do të hidhet në Frankfurt të Gjermanisë dhe do të nisë në ora 12:00.

Në këto eliminatore do të marrin pjesë 53 skuadra, ndërsa Gjermania si organizatore e UEFA EURO 2024, kualifikohet automatikisht, dhe për këtë arsye nuk merr pjesë ne short. Bazuar në vendimet e mëparshme të UEFA-s, Rusia është e përjashtuar nga shorti dhe nga këto eliminatore.

53 skuadrat që marrin pjesë në shortin e kualifikueseve më 9 tetor 2022, janë klasifikuar nëpër 6 vazo në bazë të renditjes së përgjithshme të UEFA Nations League 2022/23, dhe do të ndahen në dhjetë grupe kualifikuese, shtatë nga të cilat me pesë skuadra (nga Grupi A deri në Grupin G) dhe tre grupe me nga gjashtë skuadra (nga Grupi H deri në Grupin J.

Ndeshjet e fazës kualifikuese do të nisin në muajin mars dhe do të përfundojnë në nëntor 2023. Në përfundim të kualifikueseve, dhjetë skuadrat e renditura të parat në grupe së bashku me 10 vendet e dyta kualifikohen automatikisht për në fazën finale. Tre skuadrat e tjera pjesëmarrëse do të dalin nga faza play-off që do të zhvillohet në mars 2024.

Faza finale e Europianit, ku do të marrin pjesë 24 skuadra, do të zhvillohet nga 14 qershor deri më 14 korrik 2024 në Gjermani.

Shqipëria është e pozicionuar në vazon e tretë të shortit së bashku me Ukrainën, Islandën, Norvegjinë, Slloveninë, Republikën e Irlandës, Malin e Zi, Rumaninë, Suedinë dhe Armeninë.

Katër finalistët e UEFA Nations League e më konkretisht Holanda, Kroacia, Spanja dhe Italia, do të luajnë ndeshjet finale të këtij kompeticioni në qershor 2023. Si pasojë, këto skuadra kanë vetëm tetë ditë ndeshjesh në dispozicion për fazën e grupeve të eliminatoreve dhe duhet të pozicionohen në grupe me pesë skuadra në këtë short.

Bazuar në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s këto skuadra nuk mund të shortohen në të njëjtin grup: Armeni/Azerbajxhan, Bjellorusi/Ukrainë, Gjibraltar/Spanjë, Kosovë/Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë/Serbi.

Disa shtete paraqesin kushte të vështira atmosferike gjatë dimrit për të luajtur futboll dhe për të minimizuar rrezikun e ndikimit të motit në ndeshje është vendosur që maksimumi dy shtete të tilla të jenë në të njëjtin grup. Vendet që paraqesin vështirësi gjatë dimrit janë Bjellorusia, Estonia, Ishujt Faroe, Finlanda, Islanda, Letonia, Lituania dhe Norvegjia.

Gjithashtu do të shmanget edhe përballja në grupe e disa vendeve që përfaqësojnë një distancë shumë të largët udhëtimi nga njëra-tjetra dhe një maksimum prej një çifti të tillë mund të vendosen në të njëjtin grup” – Shkruan FSHF.

Sport