
Shpalosën hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb, FIFA hap procedurë disiplinore ndaj Federatës Serbe të Futbollit
Serbia vazhdon të ngatërrojë sportin me politikën. Së fundmi, në dhomat e zhveshjes para ndeshjes ndaj Brazilit, u vu re një flamur që tregonte hartën ku shihej Kosova si pjesë e Serbisë. Aty shkruhej: Asnjë dorëzim.
FIFA nuk ka qëndruar duarkryq ndaj një rasti të tillë kaq flagrant dhe ka hapur procedurë disiplinore. Organizata më e madhe e futbollit në botë nuk toleron aspak veprime të tilla dhe me shumë mundësi do ketë një ndëshkim për Federatën Serbe.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e ngjashme, pasi ngacmimet nga ana serbe kanë qenë të përsëritura. Vendimi i FIFA-s akoma nuk është bërë i ditur, por e vetmja gjë që mund të thuhet është se kësaj here vështirë se do shpëtojnë paq.
Ndërkohë, ditën e sotme, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç komentoi në rrjetin e tij social Instagram atë çfarë ndodhi me flamurin e Serbisë me Kosovën brenda në dhomat e zhveshjes së futbollistëve serbë përpara ndeshjes me Brazilin, dy netë më parë dhe ankesën që ka bërë Kosova në FIFA për këtë çështje.
Diplomati serb ka postuar në faqen e tij edhe foton me flamurin dhe një foto ku ai është takuar me Xhani Infantinon, Presidentin e FIFA-s. Në postimin e e tij, Daçiç shprehet se nuk do të dorëzohen asnjëherë, pavarësisht se bëhet fjalë për futboll.
“Me Xhani Infantinon, sigurisht nuk ndaj të njëjtat pikëpamje në anëtarësimin e plotë të shtetit të vetëdeklaruar Kosovë në organizatën e FIFA, dhe ia përsërita këtë Infantinos mbrëmjen që luajtëm me Brazilin. Ndërkohë që Kupa e Botës është duke u zhvilluar në Katar, e ashtuquajtura Federatë e Kosovës del në pah duke paditur Serbinë në FIFA për një foto që tregon flamurin serb me kufijtë e Kosovës dhe Metohisë dhe me mesazhin “Nuk dorëzohemi” në dhomat tona të zhveshjes.
Më 25 nënëtor, Federata e Futbollit e Kosovës paraqiti një ankesë në FIFA për veprimin e ekipit kombëtar të Serbisë.
FFK e quajti këtë veprim si akt shovinist.
“Akte të tilla shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjitha anëtarët e tjerë të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”, u tha në njoftimin e FFK-së.
Federata e Futbollit e Kosovës, kërkoi nga FIFA që veprimi i ekipit serb në Katar të mos kalohet pa masa ndëshkimore, pasi siç u tha në njoftimin e këtij institucioni kampionati botëror i futbollit “duhet të jetë vend i mbizotërimit të thirrjeve për paqe, e jo të përdoret për të nxitur urrejte mes popujve.
Që kur Kosova u anëtarësua në FIFA dhe UEFA në vitin 2016, trupa evropiane e futbollit është siguruar që “Dardanët” të mos bien në të njëjtin grup me Serbinë apo Bosnje e Hercegovinën në grupet kualifikuese për Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian.