Aktualitet24 Korrik 2022, 09:04

Shpërthimi i Ramiz Alisë: Diplomatët tanë ushqehen dhe vishen keq, marrin para borxh, për frigoriferë, lavatriçe, televizorë

Shkruar nga Pamfleti
Shpërthimi i Ramiz Alisë: Diplomatët tanë ushqehen dhe

Shpërthimi i Ramiz Alisë: Diplomatët tanë ushqehen dhe vishen keq, marrin para borxh, për frigoriferë, lavatriçe, televizorë

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1976, ku ndodhet një qarkore me titull: “Mbi disa shfaqje e ndikime të huaja, që vihen re tek disa komunistë e punonjës jashtë shtetit”, drejtuar të gjitha organizatave bazë të partisë, të përfaqësive diplomatike shqiptare jashtë shtetit, e cila është firmosur nga Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia, si dhe ndihmësi i tij, Piro Kondi. Relacioni me dokumentet në fjalë të cilat janë pjesë e një dosje, ku sektori i Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, ka marrë në analizë punën e organizatave bazë të partisë në përfaqësitë tona diplomatike jashtë shtetit, kryesisht ato të Beogradit, Budapestit, Algjerit, Pragës, Bukureshtit, Kajros, etj., ku ishin vërejtur shumë probleme, si: thashetheme, fërkime, konflikte dhe rrahje në mes komunistëve, vjedhje nëpër dyqane magazina, kontrabandë, blerje rrobash tej normës së lejuar, kursime për të blerë frigoriferë, lavatriçe, televizorë, e kaloriferë, që kërkojnë shuma të mëdha parash që në vitin e parë, etj., etj., ku midis tw tjerash thuhet: “Ju jeni në dijeni që ish-radisti i Pragës, në kundërshtim me çdo rregull, shëtit vetëm në qytet deri në orët e vona të natës.

Ish-shoferi i ambasadës sonë në Kajro, tenton të marrë para borxh tek një vendas, për të blerë rroba. Kurse ish-shifranti i Algjerit, jo vetëm që afron në dyert e ambasadës një tregtar anglez dhe blen tek ai, disa metra stof, por dhe siç thotë vetë anglezi, nëpërmjet një letre drejtuar Ministrisë sonë të Jashtme, nuk i është paguar akoma stofi, prandaj ai kërkon tani borxhin.

Nga Dashnor Kaloçi

Dokumenti sekret i hartuar nga sekretari i Komitetit Qendror të PPSh-së, Ramiz Alia dhe ndihmësi i tij në aparatin e Komitetit Qendror, Piro Kondi, drejtuar të gjitha organizatave bazë të partisë në përfaqësitë diplomatike shqiptare të akredituara në shtete të ndryshme të botës

PARTIA E PUNËS SHQIPËRISË                                                               

TEPER  S E K R E T

Tiranë më 28.2.1976

Lënda: Mbi disa shfaqje e ndikime të huaja që vihen re tek disa komunistë e punonjës jashtë shtetit.

Gjithë organizatave bazë të përfaqësive

Punimi në organizatat bazë i dokumenteve të rëndësishme të Plenumeve të fundit të K.Q. të PPSH-së, dhe fjalimeve programatike të shokut Enver Hoxha, debati ideologjik dhe ballafaqimi që u bë në këtë rast me format e arsimit në Parti, si dhe në mbledhjet e kolektivave punonjëse të përfaqësive ndihmuan komunistët e punonjësit e përfaqësive për të formuar konceptet e shëndosha revolucionare, mbi zhvillimin e luftës së klasave brenda vendit tonë si dhe në arenën ndërkombëtare, për të kuptuar më mirë presionin imperialisto-revizionist mbi vendin tonë dhe veçanërisht mbi njerëzit tanë që punojnë në përfaqësitë tona jashtë shtetit.

Si kudo ashtu edhe në përfaqësitë tona jashtë shtetit, ekziston një gjendje e shëndoshë moralo-politike e cila pasqyrohet në unitetin e mendimit e të veprimit. Jeta e brendshme e organizatave bazë dhe e kolektivave, është forcuar e gjallëruar.

Është forcuar kritika e autokritika, është rritur përgjegjësia e mobilizimi i përgjithshëm për plotësimin e detyrave të shtruara përpara tyre nga Partia në luftën kundër shfaqjeve e ndikimeve të huaja, të papajtueshme me ideologjinë e Partisë e me moralin tonë proletar.

Krahas kësaj karakteristike të përgjithshme pozitive, janë vërejtur në disa organizata bazë, komunistë e punonjës të veçantë edhe disa shfaqje e ndikime të huaja të cilat kur nuk janë luftuar që në embrion dhe me partishmëri, janë shoqëruar me pasoja të rënda.

Në këtë letër menduam që të evitojmë disa nga këto shfaqje të huaja me qëllim që të nxirren mësime e detyra për ta ngritur në një nivel shumë të lartë luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja dhe për të siguruar një qëndrim klasor revolucionar, në punë e në familje, kudo e kurdoherë, nga të gjithë punonjësit e përfaqësive tona.

Parulla e Partisë, “Të mendojmë, të punojmë, e të luftojmë, si revolucionarë”, duhet të zbatohet nga të gjithë njerëzit tanë, brenda e jashtë shtetit.

Së pari, të tërheqin vëmendjen në disa organizata bazë e kolektiva, grindjet mosmarrëveshjet, dhe mungesa e unitetit. Më të theksuara janë ato në përfaqësitë e Algjerit, Pragës, Bukureshtit, por edhe tek ndonjë përfaqësi tjetër.

Komunistët aty, ishin ndarë në grupe e tarafe dhe luftonin në mënyrë të paprinciptë me njëri tjetrin duke përfshirë këtu edhe titullarët dhe sekretarët e këtyre ambasadave. Kritika bëhej shpeshherë jo nga pozita të drejta partie, por nga pozita personale, në disa herë edhe për qëllime hakmarrëse.

Kjo, kishte krijuar një frymë mosbesimi ndaj njëri tjetrit, gjë që çoi deri atje sa disa komunistë filluan të rrihen me njëri tjetrin. Këto akte të shëmtuara, të papajtueshme me normat e moralit tonë komunist, e spostuan vëmendjen e organizatave bazë të përfaqësive nga kryerja e detyrave të caktuara nga

Partia për diskutimin e grindjeve e mosmarrëveshjeve të tilla.

Kjo ka bërë që aktiviteti i këtyre ambasadave në fushën e informacionit, propagandës, dhe problemeve të tjera të rëndësishme, të jetë i kufizuar. Raste të fërkimeve e thashethemeve, ka pasur edhe tek ndonjë përfaqësi tjetër.

Është e qartë se thyerja e unitetit në këto organizata bazë, nuk janë për vijën e Partisë, por për çështje konkrete që e kanë burimin në vënien e interesit personal mbi atë të përgjithshëm, në familjaritetin e sëmurë, në ambiciet, në egoizmin, në kapriçot dhe mendjemadhësitë.

Ato, e kanë burimin në cektësinë ideologjike, në mos studimin e veprave të Partisë, në tendencat e rehatisë, duke mos jetuar si revolucionarë. Për këto arsye Komiteti Qendror mori një seri masash të rëndësishme për të shëndoshur gjendjen e këtyre organizatave. Rifreskoi kolektivat me kuadro të rinj.

Disa nga komunistët, duke përfshirë këtu dhe titullarët si dhe sekretarët e Algjerit dhe Pragës, u shkarkuan nga funksionet që kishin, u kthyen para kohe në Atdhe, dhe i’u dhanë për gjykim Komisionit të Kontrollit dhe Revizionimit të Partisë i cili, disa prej tyre i vuri para përgjegjësisë, i ndëshkoi me masa partie, dhe dy komunistë të përfaqësisë së Algjerit, u përjashtuan nga Partia.

Ndërsa për disa komunistë të përfaqësisë së Bukureshtit, u morën masa të tjera ndëshkimore.

Së dyti, disa komunistë e punonjës të përfaqësive tona harrojnë që punojnë e jetojnë jashtë shtetit, nënvlerësojnë ambientin ku veprojnë, ulin vigjilencën politike, shkelin normat e rregullat në marrëdhëniet me të huajt, si dhe me sekretin shtetëror.

Dihet se shumica e përfaqësive tona, e zhvillojnë aktivitetin diplomatik në vendet kapitaliste e revizioniste, punojnë brenda në rrethim. Për pasojë presioni i ideologjisë borgjezo-revizioniste mbi njerëzit tanë jashtë shtetit, është i madh e i vazhdueshëm.

Prandaj kërkohet nga të gjithë pa përjashtim, një vigjilencë e lartë dhe e mprehtë politike, për ta përballuar me sukses këtë presion, luftë e papajtueshme kundër çdo shfaqjeje të huaj.

Kërkohet që të zbatohen me rigorozitet normat dhe rregullat në veprimtarinë e përfaqësive në tërësi, dhe të çdo individi në veçanti. Por disa herë këto porosi të Partisë nënvlerësohen dhe nuk mbahen parasysh si duhet.

Ju jeni në dijeni që ish-radisti i Pragës, në kundërshtim me çdo rregull, shëtit vetëm në qytet deri në orët e vona të natës. Ish-shoferi i ambasadës sonë në Kajro, tenton të marrë para borxh tek një vendas, për të blerë rroba.

Kurse ish-shifranti i Algjerit, jo vetëm që afron në dyert e ambasadës një tregtar anglez dhe blen tek ai, disa metra stof, por dhe siç thotë vetë anglezi, nëpërmjet një letre drejtuar Ministrisë sonë të Jashtme, nuk i është paguar akoma stofi prandaj, ai kërkon tani borxhin.

Edhe ish-shoferi i po kësaj ambasade, duke qenë dezhurn lë detyrën, dhe del shëtitje megjithëse jo shumë kohë më parë disa provokatorë, kishin thyer xhamat e vitrinës së ambasadës sonë.

Gruaja e një shoferi të ambasadës sonë në Beograd, në kundërshtim me rregullat, vë në çantën e saj personale një pako me margarinë, dhe aty kapet dhe goditet nga stafi jugosllav i magazinës.

Në Budapest, dy shokë tanë të ambasadës gjatë një pritjeje me një diplomat të huaj, zihen me njëri tjetrin se kujt i takon që ta ngrejë dollinë i pari. Kjo gjë, nuk i la përshtypje të mirë diplomatit të huaj.

Një punonjës i ambasadës tonë në Phenian, pranon disa barna nga një diplomat revizionist. Për të gjetur dhe blerë një palë këpucë, një diplomat i yni në Pragë, kërkon ndihmën e një shqiptareje që është martuar atje me një çek.

Ish-shoferi ynë në Sofje, nuk paguan një tufë majdanoz në dyqan dhe atje kapet e merret në pyetje nga vendasit. Konstatohet gjithashtu se disa nga shokët nuk tregohen seriozë në ruajtjen e sekretit dhe shkelin si pa të keq, rregullat e vendosura.

Çështjet e punës ata, i diskutojnë me gratë e tyre. Në një përfaqësi doli se gratë e punonjësve, dinin dhe se kush e ka firmosur këtë apo atë radiogram. Nuk tregohet kujdes në bisedimet familjare, në korridoret e ambasadave, si dhe në bisedat telefonike, duke harruar se njerëzit tanë jashtë shtetit janë objekt përgjimi nga të huajt.

Probleme e shembuj të tillë gjen edhe në përfaqësitë e tjera, sigurisht jo në këto përmasa prandaj është detyra juaj që ti zbuloni, t’i analizoni, dhe të bëni një luftë më të vendosur kundër shfaqeve të liberalizmit dhe mungesës së vigjilencës. Çdo shfaqje e huaj e vërejtur në këtë drejtim, duhet kapur dhe luftuar menjëherë.

Së treti, informohemi se disa shokë e shoqe të përfaqësive të ndryshme, nuk e përdorin si duhet alokacionin. Me t’u nisur jashtë shtetit ata, i vejnë vetes si qëllim që të kursejnë sa më shumë para, në mënyrë që të blejnë veshje. Duan të sigurojnë, frigoriferë, lavatriçe, televizorë, e kaloriferë, që kërkojnë shuma të mëdha parash që në vitin e parë.

Për këtë arsye ata, disa herë marrin para borxh nga shokët e tjerë. Gjithashtu ata, ushqehen e vishen keq, qëndrojnë jashtë shtetit 3-4 vjet dhe nuk shikojnë teatër apo dhe ndonjë aktivitet tjetër kulturor. Nuk vizitojnë asnjë muzeun apo të shkojnë në kinema.

Ka shokë e shoqe që futen e blejnë sende në dyqane të papërshtatshme, me qëllim që t’i marrin ato sa më lirë. Kuptohet se me këto veprime ata, nuk e përfaqësojnë denjësisht vendin tonë jashtë shtetit.

Theksojmë gjithashtu se ka edhe shokë që kur vijnë në Shqipëri, sjellin plaçka mbi normat të cilat me të drejtë, ju mbahen nëpër dogana. Ka dhe ndonjë punonjës që i kalon ato, pa ju nënshtruar kontrollit doganor.

Dihet se alokacioni, u jepet shokëve të përfaqësive jo për të blerë rroba, por që të jetojnë e punojnë denjësisht dhe për të përfaqësuar më së miri popullin tonë heroik dhe atdheun tonë socialist në botën e jashtme.

Një tjetër punonjës në Sofje, duke menduar dhe vepruar si mikroborgjez ishte shprehur se: “Unë në Sofje kam shkuar për të blerë rroba”.

Raste të tilla ka mjaft prandaj është e nevojshme që organizatat bazë t’i zbulojnë e kritikojnë vetë ata komunistë e punonjës që kanë vese të tilla.

Këto ishin disa nga problemet që menduan të ngremë dhe të tërheqim vëmendjen në këtë letër. Është detyrë e organizatave bazë që në frymën e saj, të bëjnë analizën e punës së tyre.

Mbas analizës së thellë në organizatë këto probleme të shtrohen dhe në mbledhjen e kolektivit dhe aty të bëhen debate e ballafaqime, si dhe të nxirren mësime e detyra, për të përmirësuar më tej punën në të ardhmen.

Për problemet, propozimet, dhe sugjerimet, që do të dalin nga kjo analizë na dërgoni një informacion.

Me porosi të Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH.

Ramiz Alia                                   

Pirro Kondi

Dossier