
Teksa e gjithë bota rrezikohet nga një krizë ushqimore dhe energjitike, qeveria ka kthyer sytë nga fqinjët. Kryeministri Edi Rama ka pritur dje në një takim të ministrin grek të Energjisë dhe Mjedisit, Kostas Skrekas.
“Kemi plane të përbashkëta dhe shumë të dobishme reciprokisht dhe na duhet vetëm që të ecim përpara me shpejtësi dhe të përfitojnë nga këto plane, nga fakti që mund të shkëmbejmë energji duke qënë se kemi burime të natyrave të ndryshme, ne jemi hidro 100 %, Greqia është gaz, është termo”, ka thënë Rama.
Ka qenë televizioni grek, ERT që ka raportuar për vizitën në fjalë. Kanali televiziv publik i shtetit fqinj ka pasqyruar edhe deklaratën e Ministres shqiptare të Energjisë, Belinda Balluku e cila thotë se “kemi diskutuar për sa i përket mundësive të investimeve që pala greke mund të bëjë në territorin shqiptar, sa i përket burimeve të reja energjitike, sigurisht flasim mes nesh për burime të gjelbërta energjetike”.
Për “ERT” ka folur edhe Ministrja shqiptare e turizmit, Mirela Kumbaro, pas takimit në zyrën e saj me ministrin grek. “Turizmi është gjithashtu një temë që ne e ndamë sepse mjedisi dhe zonat e mbrojtura janë po ashtu një atraksion turistik dhe duhet t’i mbrojmë, por duhet edhe në mënyrë të qëndrushme t’i zhvillojmë”, tha Kumbaro.