Aktualitet12 Gusht 2022, 10:42

Shqipëria dorëzon në KE rezolutën kundër raportit të Dick Martyt

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria dorëzon në KE rezolutën kundër raportit

Shqipëria dorëzon në KE rezolutën kundër raportit të Dick Martyt

Shqipëria ka dorëzuar në Këshillin e Evropës rezolutën kundër raportit të Dick Martyt për pretendimet e pabaza për tregtinë e jashtëligjshme të organeve në Kosovë dhe Shqipëri. Rezoluta u miratua në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik. Rezoluta përmban pohimin se pretendimet nga raporti i Dick Martyt, edhe pas 10 vitesh hetim, nuk janë vërtetuar dhe nuk janë të bazuara në fakte, si dhe thirrje për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të përgatitur një raport të ri në të cilin ata do të shqyrtojnë akuzat për tregti të paligjshme të organeve njerëzore.

“Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës shpreh komplimentet për përfaqësitë e përhershme të vendeve anëtare dhe vëzhguesit në Këshillin e Evropës dhe ka nderin të informojë se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi më 21 korrik, 2022, Rezolutën për pretendimet e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, thuhet në shënim.

Në këtë notë verbale më tej thuhet se rezoluta që i bashkëngjitet notës është përgjigje ndaj Rezolutës 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, “Hetimi i akuzave për trajtim çnjerëzor të njerëzve dhe tregti ilegale me organe njerëzore në Kosovë”, i cili bazohet në raportin (Dokumenti 12462, datë 7 janar 2011) nga Dick Marty, shkruan KosovoOnline

“Sipas rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, më 21 korrik 2022, pretendimet e bëra në Raportin Dick Marty për vrasjen e njerëzve me qëllim mbledhjen dhe shitjen e organeve të tyre dhe tregtinë e paligjshme të organeve të njeriut në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat janë të listuara në paragrafët 1 dhe 4 të Rezolutës 1782 të KSBE-së (2011), pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Forca Speciale Hetimore e BE-së dhe pasardhësi i saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbeten të pagjetura, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte dhe për këtë arsye duhet parë si e tillë nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksohet në shënim.

Poashtu në notën verbale të misionit të Shqipërisë në KiE thuhet se rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të bëjë një raport pasues dhe të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), duke rivlerësuar akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/ose Kosovë.

“Misioni i përhershëm i Shqipërisë kërkon nga përfaqësitë e përhershme të shteteve anëtare dhe vëzhguesit në Këshillin e Evropës që t’ua përcjellin organeve të tyre kompetente shtetërore Rezolutën mbi akuzat e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri. Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Evropës e përdor këtë mundësi për të përsëritur shprehjet e respektit të thellë ndaj përfaqësive të përhershme të shteteve anëtare dhe shteteve vëzhguese të Këshillit të Evropës”- thuhet në notën shqiptare.

Aktualitet Dick Marty KE Rezolutë