Përfundon ndeshja e parafundit në grupet e Nations League. Shqipëria ka shkatërruar Kazakistanin me rezultatin e thellë 3-1. Kombëtarja e Edi Rejës shënoi dy gola brenda 7 minutave kundër Kazakistanit, duke i mbyllur 45 minutat e para me rezultatin 2-1. Djemtë tanë kaluan të parët në avantazh në minutën e 16 me Çikalleshin. Sulmuesi zhbllokoi shifrat me kokë. Krosim i Memushajt nga e djathta, gjeti bomberin kavajas të lirë në qendër të zonës kazake, ku goditi me kokë dhe nuk fali.
Në minutën e 23, kuqezinjtë tanë dyfishuan rezultatin. Mbrojtësi kazak e ktheu topin me kokë në formë asisti për Ismajlin, që te pika e penalltisë goditi tokazi dhe e dërgoi topin në rrjetë, por ajo që ndodhi më pas, ishte e pabesueshme. Kazakët e vendosën topin në mesin e fushës dhe e goditën direkt në portën tonë. Goli nga 50 metra shokoi portierin Etrit Berisha, jo mirë i vendosur në portë, bashkë me kuqezinjtë e tjerë.
Me fillimin e pjesës së dytë, Shqipëria gjen edhe golin e tretë. Në minutën e 69, një këmbëngulje e Abrashit në zonën kazake, ku kundërshtari i ndërhyri në mënyrë të gabuar, duke fituar një 11-metërsh. Kryesori akordoi penallti. Nga pika e bardhë e mori përsipër Manaj dhe trefishoi shifrat.
Me këtë fitore, Shqipëria renditet në vendin e dytë me 8 pikë. Kombëtarja jonë do të luajë të mërkurën më 18 nëntor me Bjellorusinë dhe i duhet patjetër fitorja për të siguruar vendin e parë në grup dhe kualifikimin në play-off.