Ekonomi18 Qershor 2022, 16:03

Shqipëria mes 10 vendeve me karburantin më të shtrenjtë në botë, bordi i Ramës tallet me qytetarët

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria mes 10 vendeve me karburantin më të shtrenjtë

Deri më sot asnjë anëtar i Bordit nuk ka dhënë një shpjegim se si caktohen çmimet. Çfarë merret për bazë? Si ka mundësi që çmimi ndryshon brenda ditës kur është e njëjta rezervë karburanti?

Qeveria e Edi Ramës vijon të thyejë rekorde. Por ndryshe nga ajo e Sali Berishës që ja kalonte dhe Gjermanisë për zhvillim ekonomik, kjo e bablokut lë pas vendet më të zhvilluara të botës… për çmimin më të lartë të karburantit.

Nafta dhe benzina kanë kapur çmime rekord, ndërsa bordet e Edi Ramës tallen me shqiptarët duke e ndryshuar çmimin si tu vijë atyre për mbarë. E gjithë bota lëviz mbi bazë të çmimeve në bursë dhe të rezervave që kanë marrë, por te ne oligarkët e karburanteve mblidhen në darkë dhe në mëngjes i vendosin çmimet sipas qejfit.

Ndonëse jemi shteti më i varfër në Europë, të dhënat më të fundit tregojnë se Shqipëria është mes 10 shteteve me çmimin më të lartë në botë të naftës, duke lënë pas dhe superfuqitë botërore si Gjermania, Franca, Italia, SHBA dhe shumë shtete të tjera të zhvilluara.

Nga të dhënat e publikuara nga “Global Petrol Price”, 10 shtetet me çmimin më të lartë të naftës në botë janë: Hong Kongu ($2.771 USD); Suedia ($2.614 USD); Norvegjia ($2.596 USD); Islanda ($2.512 USD); Finlanda ($2.485 USD); Monako ($2.417 USD); Danimarka ($2.381 USD); Mbretëria e Bashkuar ($2.331 USD); Zvicra ($2.247 USD) dhe Shqipëria ($2.244 USD).

Pra një shtet ku paga mesatare shkon në rreth 30 mijë lekë, një litër naftë shitet afro 260 lekë. Vërtet Rama justifikohet se jemi në kohë lufte, por Italia, Greqia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk janë në kohë lufte?

Në Malin e Zi, sipas “Global Petrol Price”, një litër naftë shitet 187.849 dollarë. Në Maqedoninë e Veriut, shitet 210.4 dollarë. Në Serbi shitet 213 dollarë. Në Greqi, shitet 243 dollarë, ndërsa në Itali shitet 237.2 dollarë për litër.

Si ka mundësi që të gjitha shtetet e rajonit e kanë më lirë karburantin se Shqipëria? Po ashtu, si ka mundësi që çmimet ndryshohen sipas qejfit? Kur çmimi ishte më i ulët, Bordi i Transparencës mblidhej një herë në dy ditë, por që kur vendosi rekordin me afro 260 lekë bordi harroi të mblidhej. Por edhe dje që u mblodh, vendosi rritje akoma dhe më të madhe.

Ajo që vihet re është se ka një tallje me shqiptarët nga bordet e Ramës. Pas reagimeve të shumta që pati në rrjet për naftën, bordi e uli sot çmimin nga 265 lekë për litër në 261 lek për litër. Benzina u ul nga 241 lekë për litër në 236 lek për litër. Pra tallje e pastër, pasi ka një ulje me 4 lekë.

Deri më sot asnjë anëtar i Bordit nuk ka dhënë një shpjegim se si caktohen çmimet. Çfarë merret për bazë? Si ka mundësi që çmimi ndryshon brenda ditës kur është e njëjta rezervë karburanti? Po ashtu vetë Rama e shmang këtë çështje bashkë me ministrat e ministreshat e tij, pasi karburantin me të cilin ata lëvizin e paguajmë ne. /Pamfleti

Ekonomi #bordi karburanti Rama