Aktualitet17 Shtator 2022, 10:14

Shqipëria  “paralizohet” nga moti i keq! Dëmtohet linja e tensionit të mesëm në Fierzë, pezullohet lundrimi në Vlorë; në Tropojë evakuohen 30 banorë 

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria  “paralizohet” nga moti i keq! Dëmtohet

Shqipëria sot është përfshirë nga reshje në formë stuhie e rrebeshe, të cila rrezikojnë edhe përmbytje në disa qytete të vendit.

Ky paralajmërim është dhënë edhe nga sinoptikanët, ndërsa kryetari i bashkisë së Lezhës e Tropojës, u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes.

Në Tropojë, kryetari i bashkisë Rexhe Byberi, ka publikuar foto të dëmeve që ka shkaktuar shiu i pandërprerë në disa zona.

Byberi bën apel që institucionet të kenë një vëmendje të shtuar, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes.

Në këtë zonë janë 25 banesa që rrezikohen të përmbyten dhe janë evakuar mbi 30 banorë.

Kreu i Bashkisë sqaroi se ka pasur edhe humbje në bletari, blegtori dhe bujqësi.

Ai nënvizoi më tej se për të përballuar situatën janë angazhuar edhe firma private, por janë shumë të nevojshme ndihmat.

Moti i keq/ IGJEUM: 9 qarqe rrezikohen sot nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave

Byberaj tha se probleme me përmbytjet ka edhe në zona të tjera të Tropojës, ku një pjesë e akseve rrugore janë mbuluar nga uji.

“Familjet që i kemi parë të rrezikuara i kemi strehuar dhe ka gjasë të ketë probleme. Shi që nuk është parë për 20 vite.  Por fatmirësia është se nuk kemi jetë njerëzish  në problematikë. Bashkia e Tropojës na duhen mjete që ne ti kemi në dispozicion, na duhen fadroma traktorë me zinxhirë. Edhe në orët në vijim parashikohet reshje shiu, fatmirësisht disa janë parandaluar.’, tha Rexh Byberi për mediat.

Ndërkohë era e fortë dhe deti me fuqi deri në 8 ballë ka bërë që ditën e sotme të pezullohet lundrimi nga kapiteneria Vlorë për mjetet e peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese.

Ky vendim është marrë për datat 17 dhe 18 shtator.

“Njoftohen të gjithë drejtuesit anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe të merren masat për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave  17 shtator 2022 deri ne datën 18 shtator 2022. Përmirësimi i situatës meteorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas datës 18 shtator 2022 ora 20:00”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë për shkak të rrëshqitjes së dherave është dëmtuar linja e rrjetit të tensionit të mesëm në Fierzë.

‘Moti i keq dhe me reshje dëmtoi linjën e rrjetit të tensionit të mesëm në Fierzë. Brigadat OSS, Kukës, Tropojë në terren për riparimin e avarisë.’, njofton OSHEE.

Moti i keq ka prekur edhe qytetin e Elbasanit.

Në aksin Librazhd-Elbasan ka rënie të gurëve në rrugë, për këtë arsye rekomandohet që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes.Në disa rrugë ka vërshime të shumta të ujit për shkak të reshjeve të dendura të shiut, por deri më tani pa probleme.

Po ashtu, nga reshjet e shumta të shiut ka ndërprerje të energjisë elektrike në Sheze dhe Gjocaj të Peqini, gjithashtu edhe në Gracën të Elbasanit.

Në 24 orët e fundit, edhe Bashkia Shkodër është përfshirë nga reshje intensive shiu.

Në disa akse rrugore ka prani të gurëve, pas rrëshqitjes së dherave por po punohet për pastrimin e tyre.

Në bashkinë e Malësisë së Madhe janë të bllokuara rrugët Tamarë- Vukël si dhe në Vermosh Njësia Administrative Kelmend.

Për hapjen e tyre po punojnë 2 fadroma.

Gjithashtu, si pasoje e erës së fortë, raportohet për ndërprerje të energjisë në zona të thella malore ku po punohet për rikthimin e tyre në normalitet.

Sipas parashikimit të IGJEUM edhe ditën e sotme bashkia Shkodër do të përfshihet nga shtrëngata shiu gjatë ditën ku nuk përjashtohet mundësia e përmbytjeve lokale.

Aktualitet moti i keq Tropoje Vlorë