Aktualitet10 Tetor 2022, 16:39

Shqipëria “portë” kontrabande/ Për 30 ditë 31 të arrestuar, sekuestrohen sasi të mëdha nafte

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria “portë” kontrabande/ Për 30 ditë 31

Vepra penale e kontrabandës ka shënuar rritje të ndjeshme vitin e fundit ndërsa policia vetëm muajin e fundit ka arrestuar 31 persona.

Ndërkohë mbi 100 të tjerë rezultojnë të jenë të implikuar në kalimin e mallrave kontrabandë.

Drejtori i krimit ekonomike-financiar në Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi në një intervistë për “Ora News “u shpreh se gjatë muajit shtator më shumë raste te goditjes ishin ato të kontrabandës së naftës por edhe të produkteve farmaceutike.

“Kryesisht është në fushën e mallrave akcizës. Deri tani kemi sekuestruar 2 milion e 700 litra naftë, paketa cigaresh, vajëra lubrifikantë, produkte farmaceutike”, tha ai.

Sipas drejtorit Minxhozi problem vijon të jenë peshkarexhat të cilët kryejnë aktivitetin e mallrave kontrabandë pasi ata furnizohen në det neutral.

“Vazhdon kontrabanda përmes peshkarexhave. Pastaj janë edhe pikat e kalimit. Sot po përdoren edhe forma të tjera të maskimit të mallrave kontrabandë si autobusë dhe furgona”, tha ai.

Lidhur me evidentimin e 83 veprave penale vetëm për muajin shtator, drejtoria e krimit ekonomik-financiar po bashkëpunon me struktura të tjera.

“Janë organizuar edhe policia e krimit ekonomik me strukturat e kufirit që kanë një plan të posaçëm masash vetëm për këtë fushë”, tha ai.

Sipas të dhënave të siguruara nga 1 shtator janë evidentuar 83 vepra penale, me 109 autorë të implikuar.

Po ashtu 31 janë arrestuar e ndërsa 78 janë proceduar në gjendje të lirë. Në total policia ka sekuestruar mbi 2 milion litra naftë, flori, aparate celularë dhe produkte ushqimore etj. /Ora News

Aktualitet Kontrabande