Sport31 Janar 2023, 17:07

Shqipëria U-17 zyrtarizon 2 miqësore me Italinë U-17, publikohen datat dhe oraret

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria U-17 zyrtarizon 2 miqësore me Italinë U-17, publikohen

Shqipëria U-17 zyrtarizon 2 miqësore me Italinë U-17, publikohen datat dhe oraret

Kombëtarja shqiptare U-17 do të luajë edhe dy miqësore ndërkombëtare ndaj Italisë U-17 në muajin shkurt. Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur akordin me Federatën Italiane për dy ndeshje mes ekipeve kombëtareve U-17, konkretisht me lojtarë të vitlindjes 2007, që do të zhvillohen të dyja në Shqipëri.

Sakaq, është rënë dakord edhe për datat, orare dhe stadiumet ku do të luhen këto miqësore. Ndeshja e parë Shqipëri U-17-Itali U-17 do të zhvillohet më datën 21 shkurt në stadiumin “Air Albania” të Tiranës dhe do të nisë në orën 17:00.

Ndërsa ndeshja “e kthimit” me këtyre dy skuadrave do të luhet më 23 shkurt dhe do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, dhe do të nisë në ora 12:00.

Kësisoj, trajneri i ekipit Kombëtar U-17, Evin Bulku dhe stafi teknik do të kenë mundësinë të luajnë disa miqësore në muajin shkurt me ekipin kuqezi që po përgatitet për fazën Elite Round të Kampionatit Europian 2022-2023 të kësaj grup-moshe.

Në fillim të muajit shkurt, Kombëtarja U-17 do të luajë dy ndeshje të tjera ndaj Bosnje-Hercegovinës U-17, që do të zhvillohen po në Shqipëri, por me ndryshimin që këtë herë do të jenë të ftuar lojtarët e vitlindjes 2006 e më pas do të vijnë dy miqësoret me Italinë me grupin tjetër të vitlindjes 2007.

Stafi teknik i Kombëtares U-17 është duke bërë përgatitje intensive para turneut zyrtar, teksa pak javë më parë ekipi kuqezi zhvilloi edhe dy miqësore me Turqinë, që u luajtën po në Shqipëri, dhe ku u aktivizuan po lojtarët e vitlindjes 2006.

Me këto ndeshje miqësore ndërkombëtare të një niveli të lartë, Kombëtarja U-17 i ka të gjitha mundësitë për të testuar lojtarët e rinj dhe për të mbajtur nën vëzhgim lojtarët e ekipit bazë dhe gjendjen e tyre.

Shqipëria U-17 është shortuar në Grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë në fazën Elite Round të Kampionatit Europian 2022-2023, ndërsa ndeshjet e grupit do të luhen në muajin mars 2023 në Shqipëri në datat 22, 25 dhe 28 mars 2023.

Sport Italia U-17 ndeshjet miqësore Shqipëria U-17