
Shqipëria zyrtarisht pa trajner, kombëtarja kuqezi mbetet në “qiell të hapur”
Stoli i kombëtares shqiptare të futbollit nga dita e sotme është vakant, pasi trajnerit italian Eduardo Reja i ka përfunduar zyrtarisht kontrata që e lidhte me Federatën Shqiptare të Futbollit.
Me përfundimin e kontratës mbyllet marrëveshja mes dy palëve, teksa ende nuk ka një zëvendësues për stolin edhe pse një mori emrash janë përfolur si pasardhës të italianit në pankinën kuqezi.
Fitorja 2-0 me Armeninë ishte dhe sfida e fundit për 77-vjeçarin në krye të Shqipërisë, ndërsa tani është një trajner i lirë.
Për shkak të rezultateve jo të mira të ekipit kombëtar nën drejtimin e tij nuk pritet një rinovim kontrate nga ana e FSHF-së, megjithatë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim.
Edi Reja u konfirmua në stolin e Shqipërisë në prill të vitit 2019, kohë kur zëvendësoi bashkëkombësin e tij Kristian Panuçi.
Reja e drejtoi Shqipërinë në 38 ndeshje, ku ka arritur të regjistrojë 14 fitore, 9 barazime dhe 15 humbje, me një golavarazh të përgjithshëm 46 të shënuar dhe 45 të pësuar.
Tekniku ka aplikuar në pothuajse të gjitha ndeshjet skemën 3-5-2 dhe për 3 vite e 7 muaj në krye të stolit ka provuar një numër të lartë lojtarësh, që e kalon shifrën 40.
Gjatë miqësoreve të fundit, në konferencat për shtyp të trajnerit apo edhe në intervistat e kreut të FSHF-së Armand Duka, thuhej se Edi Reja është akoma në kontratë dhe kur ajo të mbarojë do të ulemi dhe do të flasim.
Kështu të paktën u tha nga të dyja palët. Gjithashtu italiani, në daljen e fundit në konferencë pas Armenisë ia kaloi topin Dukës:
”Shpresoj që bileta ime të jetë vajtje-ardhje, kur Duka të kthehet nga Katari do të ulemi të bisedojmë, topin e ka ai tani”, tha Reja.
Ndërsa tani jemi në një kohë që trajnerit i përfundoi kontrata dhe duhet të njoftohemi se çfarë do të ndodhë me të: do të rinovojë apo do të kemi një trajner tjetër që do të drejtojë Shqipërinë?
Suksesi i tij i parë ishte në Ligën e Kombeve, ku Shqipëria u ngjit nga Liga C në B. Gjithashtu në kualifikueset e Botërorit 2022, ai grumbulloi më shumë pikë se çdo trajner tjetër në grupe (18), por gjithsesi në fund u rendit i treti në grup pas Anglisë dhe Polonisë.
Ndërkohë kompeticioni i fundit që ishte Liga e Kombeve e këtij sezoni, rezultoi një dështim për teknikun italian, ku Shqipëria u rendit e fundit në grup duke mos fituar asnjë takim.