Aktualitet11 Gusht 2022, 19:46

Shtatori, betejë për “jetë a vdekje” për Ilir Metën; kërcënon Ramën me rrëzim qeverie

Shkruar nga Pamfleti
Shtatori, betejë për “jetë a vdekje” për Ilir

Ashpërsohet konflikti mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Akuzat se ish-presidenti ka qenë Spiun i Sigurimit dhe nisma e PS për ta ndaluar të futet në Parlament e kanë tensionuar shumë situatën. Dje Meta e kërcënoi hapur fare Ramën, ku e paralajmëroi se nëse vijon më tej, ai do e “thyejë në mes”.

Sot Meta ka artikuluar për herë të parë idenë e rrëzimit të qeverisë. Në mëngjes ai u shpreh se në shtator opozita do punojë për të sjellë një qeveri teknike. Ndërkohë pasdite ai u ndal në Durrës me strukturat, ku sërish drejtoi mesazhe ndaj Ramës se do e rrëzojë nëse vijon me çështjen e dosjes së Sigurimit.

Bashkë me opozitën dhe shoqërinë civile do të realizojmë një transformim të shpejtë edhe pse të vonuar dhe është një lëvizje tektonike e pandalshme dhe triumfi i vlerave më të mira të kombit e shoqërisë tonë është i pashmangshëm. Janë të pashpresë të gjithë ata që besojnë se mund të ndalin këtë ortek të jashtëzakonshëm, sepse kanë vënë në diskutim të ardhmen e kombit për shkak jo vetëm të korrupsionit ku janë zhytur, pengmarrjen ku ndodhen në shërbim të qarqeve të ndryshme që duan të dominojnë vendin tonë përmes kësaj klike të korruptuar”, tha Meta.

Shtatori duket se është një betejë për “jetë a vdekje” për Metën. Në shtator do hapet dosja e Sigurimit dhe po ashtu PS e paralajmëroi dje se do miratojë ligjin që ndalon spiunët të futen në politikë. Një gjë e tillë bën që Meta të mos mbajë dot asnjë post publik dhe do e rrënonte politikisht. Kjo gjë duket që e ka alarmuar ish-presidentin, i cili tashmë po kërcënon qeverinë. Dje kërcënoi Ramën me “eliminim fizik”, ndërsa sot artikuloi skemën e rrëzimit të qeverisë.

Jam i bindur që shumë shpejt do t’ia arrijmë, ashtu si skandalet ku është zhytur qeveria, do të sjellin fundosjen e saj, e nuk do të arrijnë dot të marrin me vete të ardhmen e vendit. Një qeveri shpresëvrasëse që kërkon të mbijetojë nëpërmjet frikësimit të qytetarëve, mediave e gazetarëve”, u shpreh Meta më tej.

Pra duket se tashmë fitilat janë ndezur. Edhe në mesditë ai i dërgoi mesazh Ramës që të tërhiqet, duke kërcënur me rrëzim të tij dhe krijimin e një qeverie teknike.

Në shtator kemi punë të tjera. Në shtator do punojmë për qeveri teknike, parlamenti të mblidhet që tani meqë ishte tromaksur dhe zonja Lindita”, tha Meta.

Kryesore Berisha Meta