Aktualitet 3 Qershor 2018, 08:26

Shtohet lista e zyrtarëve të lartë të cilët janë amnistuar nga Adriatik Llalla, zbulohen detajet si ish-Kryeprokurori amni

Shkruar nga Pamfleti
Shtohet lista e zyrtarëve të lartë të cilët janë

Shtohet lista e zyrtarëve të lartë të cilët janë amnistuar nga Adriatik Llalla, zbulohen detajet si ish-Kryeprokurori amnistoi Gent Sejkon para largimit nga detyra

Shtohet lista e zyrtarëve të lartë të cilët janë amnistuar nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Para se të largohej nga detyra, ish-kryeprokurori mbylli dosjet e aferave për një numër të madh ish-ministrash dhe deputetësh, por duket se në listë ka qenë dhe Guvernatori Gent Sejko, apo dhe funksionarë të Bankës së Shqipërisë. Në prillin e vitit 2015, Banka e Shqipërisë nisi procedurat e prokurimit për rikonstruksionin e ish-hotel “Dajtit”.

Por deri në mes të vitit 2017 nuk nisi asnjë punim, ndonëse tenderi ishte realizuar. Për këtë arsye Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për këtë çështje, por që më pas nuk u tha asgjë se çfarë ndodhi. Gazeta ”SOT”  ju drejtua me një shkresë zyrtare Prokurorisë së Tiranës, për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me hetimet që u hapën për aferën e ish-hotel “Dajtit”. Prokuroria në përgjigje të saj bëri me dije se këto hetime u pushuan në verën e vitit 2017.

“Në përgjigje të kërkesës suaj dërguar përmes postes elektronike dhe protokolluar me numër 2888 date 31.05.2018 ju informojmë se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tirane, ka regjistruar procedimin penal numër 4501 datë 15.06.2017, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Ky procedim është regjistruar kryesisht pas publikimeve në media dhe dyshimeve se rikonstruksioni i godinës se ish hotel “Dajtit” nga Banka e Shqipërisë, është kryer në kundërshtim me ligjin.

Pas hetimeve të kryera, me datë 24.07.2017 është vendosur pushimi i procedimit penal”, thuhet në njoftimin e prokurorisë për gazetën “SOT”. Që kur ishte në detyrë Ardjan Fullani, Banka e Shqipërisë bleu ambientet e ish-hotel “Dajtit”, me qëllim ndërtimin e zyrave të saj aty. Por deri më sot godina në fjalë nuk është rikonstruktuar dhe ka pasur gjithmonë deklarata nga ekspertët për abuzime skandaloze. Por edhe pse iku Fullani, me ardhjen e Gent Sejkos situata nuk ndryshoi fare. Ky i fundit u kujtua vetëm pas dy vitesh nga tenderimi të jepte detaje mbi rikonstruksionin.

Procedurat gjatë kohës së Sejkos

Kur në krye të BSH ishte Ardjan Fullani, u ble godina e ish-hotel “Dajtit”, u miratua projekti, u miratuan fondet dhe leja ndërtimore. Ndërsa në periudhën gusht–shtator 2016, periudhë pas emërimit të Sejkos, Banka e Shqipërisë hartoi specifikimet teknike për procedurën e prokurimit të rikonstruksionit të godinës së ish-hotel “Dajtit” sipas projektit të pranuar prej saj që në vitin 2013 dhe të miratuar nga KKT.

Gjatë muajit tetor 2016, BSH publikoi në gazetën ndërkombëtare “Financial Times” njoftimin për shprehje interesi, për procedurën e rikonstruksionit të godinës së ish-hotel “Dajtit”. Në një sqarim që BSH bëri mbi procedurat, afati i pritjes së shprehjes së interesit ishte 30 ditë nga publikimi. Në përgjigje të këtij njoftimi, pranë Bankës së Shqipërisë shprehën interesin për pjesëmarrje në tender 10 kompani.

Në përfundim, u vendos të vijohej me procedurën “Tender i kufizuar ndërkombëtar”, në përputhje të plotë me rregulloren “Për procedurat e prokurimit të Bankës së Shqipërisë” . Por në sqarimin e BSH në atë kohë, nuk thuhej se procedura e prokurimit te godinës të jetë miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës, ashtu siç nënvizohet se Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar vetëm projektin që ka kushtuar rreth 705 mije euro.

Sipas ligjit, është Këshilli Mbikëqyrës ai që e përcakton procedurën e prokurimit, siç ka vepruar edhe në rastin e rikonstruksionit të Bankës Qendrore, me vendimin numër 68. Pikërisht për këtë gjë nisën hetimet, por më pas gjithçka u pushua.

Aktualitet Adriatik Llalla Genti Sejko Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ish-kryeprokurori