Aktualitet24 Janar 2023, 20:10

Shtohet presioni ndaj SPAK, pas SHBA edhe BE kërkon arrestime politikanësh

Shkruar nga Pamfleti
Shtohet presioni ndaj SPAK, pas SHBA edhe BE kërkon arrestime

Sot në SPAK ka shkuar ambasadorja e BE, Christiane Hohmann, e cila ka zhvilluar një bisedë me Altin Dumanin. Ajo e ka bërë të qartë se SPAK duhet të godasë në nivelet më të larta.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë në unison total kur vjen puna te lufta ndaj korrupsionit.

SPAK u ngrit me mbështetjen e tyre dhe tani duket se zyrtarët e Uashingtonit dhe Brukselit kërkojnë që të justifikohen milionat që u hodhën për këtë reformë. Ambasadorja amerikane Yuri Kim pak ditë më parë e bëri të qartë se SHBA pret arrestime në nivele të larta, ndërkohë duket se të njëjtën gjë kërkon dhe Bashkimi Europian.

Sot në SPAK ka shkuar ambasadorja e BE, Christiane Hohmann, e cila ka zhvilluar një bisedë me Altin Dumanin. Ajo e ka bërë të qartë se SPAK duhet të godasë në nivelet më të larta.

Bisedë e mirë me Kryeprokurorin e ri të SPAK, Z. Altin Dumani. BE mbështet plotësisht një SPAK të pavarur dhe efektiv.  Lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar mbetet çështje kyçe për avancimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh ambasadorja në rrjetet sociale.

Vizita e ambasadores vjen në një kohë kur sytë janë drejtuar te SPAK. Dje pati një padi për “21 Janarin” dhe kërkohet nga kjo prokurori që të zbardhet masakra me 4 të vrarë. Ndërkohë prokurorët kanë në dorë dosje të rëndësishme si ajo e “Gërdecit”, afera CEZ-DIA, afera me kompleksin “Partizani”, apo lobimet e Ilir Metës në SHBA. Po ashtu po hetohen koncesionet në shëndetësi dhe disa dosje të tjera korruptive. Si duket ndërkombëtarët po e bëjnë të qartë se SPAK këtë vit duhet të godasë fort dhe të mos mjaftohet me arrestimin e Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos. /Pamfleti

Kryesore dosje Hetime politikane SPAK