Politike19 Prill 2018, 05:51

Shtyhen zgjedhjet në PD, Kuvendi Kombëtar mblidhet vetëm për ndryshimet në statut

Shkruar nga Pamfleti
Shtyhen zgjedhjet në PD, Kuvendi Kombëtar mblidhet vetëm për

Shtyhen zgjedhjet në PD, Kuvendi Kombëtar mblidhet vetëm për ndryshimet në statut

Ekipi aktual drejtues i Partisë Demokratike do të mbetet i pandryshuar, deri në kohën kur të gjithë strukturat në bazën e PD-së të riorganizohen dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, të thërrasë sërish Kuvendin Kombëtar.

 

Ky ishte vullneti i anëtarëve të kryesisë së PD-së në mbledhjen që u zhvillua mbrëmjen e 14 prillit, ku edhe u vendos që Kuvendi Kombëtar i PD-së, që do të mbahet në 28-29 prill, do të thirret vetëm për të miratuar ndryshimet në statut.

“Panorama” ka mësuar se në mbledhjen e Kryesisë së zhvilluar në 8 mars të këtij viti, kreu i PD-së, Lulzim Basha, kërkoi që në Kuvendin Kombëtar të PD, që do të mbahet në fund të prillit, krahas miratimit të ndryshimeve statusore, të zgjidhet edhe Këshilli i ri Kombëtar.

 

Por, kundërshtitë e prodhuara në këto javë në radhët e demokratëve për zgjedhjen e këtij Këshilli, kanë bërë që edhe vetë Basha, në mbledhjen e tri ditëve më parë, të mbështesë qëndrimin që në Kuvend të miratohet vetëm statuti i ri i partisë dhe të shtyhen në një afat të pacaktuar zgjedhjet për forumet e reja në PD. “Ka pasur një keqkuptim për çështjen e zgjedhjes së Këshillit të ri Kombëtar në këtë Kuvend, që do të organizohet në 28 prill. Ky propozim është parë si një përpjekje për ta mbyllur partinë, ndërkohë që qëllimi ka qenë për të fituar kohë për procesin e riorganizimit përpara një viti elektoral që kemi përpara”, ka deklaruar Basha.

 

RIORGANIZIMI

 

Në mbledhjen e Kryesisë të zhvilluar mbrëmjen e kësaj të shtune, grupi politik i punës i mandatuar nga Lulzim Basha prezantoi dokumentin politik për ndryshimin në statutin e PD-së. Dokumenti, pas pesë orë debatesh, me ndryshime të vogla, u miratua. Aktualisht, ky dokument politik i prodhuar nga grupi i punës është marrë në dorë nga Sekretari për Çështjet Ligjore të PD-së, Ivi Kaso, dhe kreu i Departamentit për Drejtësinë dhe në PD, Gazment Bardhi. Draftstatuti do të kalojë në Këshillin Kombëtar këtë të premte dhe vetëm pasi të marrë miratimin e Këshillit Kombëtar do t’i paraqitet për t’u votuar Kuvendit Kombëtar. Menjëherë pasi të miratohet statuti nga Kuvendi Kombëtar, Partia Demokratike do të nisë procesin e zgjedhjeve në parti. Nëse riorganizimi në degë do të mbyllet deri në muajin qershor, PD pritet të thërrasë në muajin shtator sërish Kuvendin Kombëtar për të zgjedhur Këshillin e ri Kombëtar. Është e drejtë e Këshillit Kombëtar të zgjedhë kryesinë e PD, ku përfshihen nënkryetarët e partisë, sekretarët dhe anëtarët e kryesisë.

 

STATUTI

 

Të kontaktuar nga “Panorama”, anëtarët e grupit të punës, të cilët kanë punuar për përgatitjen e dokumentin politik sqarojnë se më i rëndësishëm se statuti i ri që do të miratohet në PD do të jetë hartimi i një rregulloreje të re në radhët e demokratëve. Rregullorja është parë si një domosdoshmëri në PD, pasi sipas burimeve nga selia blu, në statutin e PD, pavarësisht se jepen garanci dhe krijohen hapësira, sërish ofrojnë vetëm garanci të përgjithshme. Statuti i ri i demokratëve do të japë garanci në nivel parimesh për të gjithë flukset apo grupet në radhët e demokratëve, por zgjidhja më e vërtetë do të jetë fryma se si ky statut do të zbatohet. Grupi i punës për ndryshimet statusore në PD besojnë se garancitë që statuti do të respektohet në vazhdim, do të jetë miratimi i një rregulloreje, e cila do të miratohet nga Këshilli Kombëtar./Panorama

Politike ndryshimet në statut zgjedhjet në PD