Kulture18 Shkurt 2022, 10:23

Shuhet në moshën 74-vjeçare shkrimtari Bardhyl Londo

Shkruar nga Pamfleti
Shuhet në moshën 74-vjeçare shkrimtari Bardhyl Londo

Shuhet nga jeta shkrimtari i njohur Bardhyl Londo

Ndërron jetë shkrimtari i njohur Bardhyl Londo. Shkrimtari vuante nga një sëmundje e rëndë.

Londo, prej dy muajsh ishte i shtruar në spitalin Onkologjik në Tiranë. Gjatë 10 ditëve të fundit për shkak se situata e tij ishte përkeqësuar, është mbajtur në reanimacion, ku edhe dha frymën e fundit. Pak më parë Akademia e Shkencave mbajti një minutë heshtje në nder të tij.

Londo humbi bashkëshorten e tij në fillim të vitit 2019. Valentina nuk ishte vetëm gruaja, por dhe bashkëshoqëruesja e një jete jo të lehtë. Shpesh ai i ishte drejtuar asaj përmes vargjeve.

Ai i përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë. Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën logon e Partisë Demokratike. Shpesh politika ndihet dhe në vargjet e tij të vona, të fokusuara më shumë te sfidat me të cilat është përballur vendi. Kritik ndaj qëndrimeve që mbahen sot ndaj letërsisë së sociorealizmit, ai ka bërë shpesh thirrje se duhet ndarë figura e artistit nga qëndrimi i tij politik dhe për ta gjykuar letërsinë pa qëndrimet politike.

Poeti me pardesynë e bardhë dhe vështrimin e thellë është padyshim një nga figurat më interesante të letërsisë shqipe të pas viteve ‘80.

Ai ka lindur në vitin 1948 në Përmet.

Studioi për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”. Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA). Krijimtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.

Në Çmimet Kombëtare të Letërsisë, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ministria e Kulturës më 2021, ai fitoi vlerësimin për vëllimin poetik “Prill i hidhur” si vepra më e mirë poetike.

Vargje për bashkëshorten e humbur

“Unë i shkruaj letër Valentina Londos

I them: qielli i ngjan sombreros së Pablo Nerudës,

I them: deti ka mall të na shohë të dy,

I them të më dërgojë 50 lekë se dietat m’u mbaruan!

Pastaj për ta qetësuar

I them: nuk kam pasur tikikardi.

Po detin, detin vallë, si ta qetësoj për ty?

Kulture