Bota28 Mars 2022, 15:54

Si Abazoviç po dominon politikën në Malin e Zi/ Nga lidhja me SHBA e taktikat politike, te suksesi në zgjedhjet vendore

Shkruar nga Pamfleti
Si Abazoviç po dominon politikën në Malin e Zi/ Nga lidhja me

Dritan Abazoviç pritet të sjellë një epokë të re për shqiptarët në Malin e Zi. Ai ka marrë mandatin për të qenë kryeministër, ndërsa sinjalet janë të qarta se ai do të vendosë në vend rëndësinë që u takon shqiptarëve në këtë shtet. Dje u mbajtën zgjedhjet në Ulqin dhe koalicioni i ku ai bënte pjesë ka fituar fuqishëm.

Koalicioni “Fillimi i ri”, i Partisë Demokratike dhe Alternativës Shqiptare si dhe tre partive të tjera, në mesin e tyre edhe Lëvizja Qytetare “URA” e Abazoviç kanë fituar 15 vende nga 33 në total në Komunën e Ulqinit. Nga ana tjetër, koalicioni i dy forcave politike shqiptare, Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Lidhjes Demokratike, fitoi 5 mandate, Forca e Re Demokratike, e cila ka dalë e vetme në këto zgjedhje fitoi 5 mandate, koalicioni i Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviç me Partinë Boshnjake, 5 mandate dhe partia e spektrit politik malazez, demokratët, fituan 2 mandate.

Ndërkohë ai shumë shpejt pritet të dalë me qeverinë e re, duke hyrë në histori si kryeministri i parë shqiptar në Malin e Zi. Por kush është Abazoviç? Ai mban gradën doktor në shkenca politike dhe është i mirë-arsimuar. Para se të niste ngjitjen në politikë, Abazoviç ishte aktivist në disa organizata joqeveritare në fushën e të drejtave të njeriut. Ai angazhohej në projekte që kishin të bënin me promovimin e multikulturalizmit në zonat e ish-Jugosllavisë pas luftërave.

Më pas ai u zhvendos në SHBA ku dhe fitoi besimin e amerikanëve. Ai u bë pjesë e shumë programeve të Departamentit të Shtetit.

Në vitin 2010, ai botoi librin e tij të parë “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”. Po ashtu ai ka punuar si mësues në Ulqin duke dhënë mësim në lëndën sociologji e kulturës, komunikimit dhe historisë së fesë.

Abazoviç, i cili flet gjuhën shqipe, serbo-kroate dhe angleze, ishte një nga themeluesit e partisë politike social-liberale “Mali i Zi Pozitiv” në vitin 2012. Në zgjedhjet parlamentare malazeze të vitit 2012, ai ishte deputeti më i ri në Parlament.

Në vitin 2014, ai u largua si nga partia dhe shërbeu si deputet i pavarur, duke krijuar më pas Lëvizjen URA. “Ne e dinim se do ta ndryshonim lojën. Kemi pritur ndryshimin e qeverisë për 30 vjet. Shumë njerëz nuk e kanë besuar, por tani është realitet. E thamë se do ta shkruanim historinë dhe e shkruam. Mafia nuk do të sundojë më ne Malin e Zi”, tha Abazoviç pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, ku fituan 4 mandate, të cilat ishin vendimtare për formimin e qeverisë së re.

Qeveria aktuale e Malit të Zi ishte votuar më 4 dhjetor 2020 me votat e deputetëve nga Fronti Demokratik pro-serb, Lëvizjes URA dhe Demokratëve, duke e lënë Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviçit në opozitë pas tri dekadash.

Me mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Millo Gjukanoviç, e cila ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Abazoviç siguroi numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç.

Ai tashmë është mandatuar për të krijuar një qeveri të re dhe ideja e tij për një qeveri pro-europiane është kanë mbështetur edhe nga lideri i Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj dhe ai i Koalicionit Shqiptar “Njëzëri”, Fatmir Xheka. Pra duket, se shqiptarët në Malin e Zi po fitojnë respektin që ju takon. /Pamfleti/

Bota #Mali i ZI #zgjedhje Abazoviç